SHBA i jep Izraelit 30 ditë afat që të rrisë ndihmat humanitare në Gazë

schedule17:26 - 16 Tetor, 2024

schedule 17:26 - 16 Tetor, 2024

Ndërsa përkeqësohet situata humanitare në Gazë, Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin u dërguan një letër homologëve izraelitë, duke u bërë thirrje për angazhime konkrete në përmirësimin e situatës humanitare brenda 30 ditëve. Në të kundërt, thuhet në letër, kjo mund të ndikojë tek politika amerikane.

“Sekretari Blinken dhe sekretari Austin menduan se qeverisë izraelite duhej t’i bëhej e qartë nevoja për shtimin e ndihmave në Gazë nga nivelet e ulëta që kemi sot”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Sipas Uashingtonit, një kërkesë e ngjashme që iu dërgua Izraelit në prill çoi në shtimin e ndihmave humanitare në Gazë. Por aktualisht, sasia e ndihmave është ulur me më shumë se 50%.

“Rrugët tokësore janë mënyra më efektive për të dërguar ndihma për civilët që kanë më shumë nevojë. Sigurisht që duam t’i shohim këto korridore të hapura. Sekretari Austin vazhdon ta theksojë këtë kërkesë”, tha zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh.

Uashingtoni nuk pranoi të thoshte këtë javë se çfarë do të ndodhte nëse Izraeli nuk i përmbush kërkesat që parashtrojnë letrat. Zëri i Amerikës e pyeti zëdhënësen e Pentagonit nëse ushtria amerikane po diskuton mbi ndalimin e mbështetjes ushtarake për Izraelin.

“Izraeli vazhdon të ketë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara, qoftë përmes shitjeve të armëve apo kontributit amerikan për vetëmbrojtjen e Izraelit. Nuk mund të them më shumë”, u përgjigj zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh.

Pjesë të sistemit amerikan të mbrojtjes ajrore, THAAD, dhe dhjetëra trupa amerikane për ta drejtuar atë, kanë filluar të mbërrijnë në Izrael.

“Ju keni parë angazhimin e anijeve tona luftarake nga deti. Tani po ofrojmë mbrojtje nga toka kundër një sulmi tjetër të mundshëm me raketa balistike nga Irani, nëse ai vend zgjedh të reagojë”, tha zëdhënësja Singh.

Irani ka ndërmarrë dy sulme të drejtpërdrejta kundër Izraelit, i fundit më 1 tetor me rreth 180 raketa balistike. Tel Avivi ende nuk ka reaguar ushtarakisht ndaj sulmit të fundit të Teheranit./VOA