Berisha, dy trishtime në një ditë. Ëndërron malet…nga dritarja

schedule20:37 - 15 Tetor, 2024

schedule 20:37 - 15 Tetor, 2024

Kjo e martë nuk është si ditët e tjera e as si vitet e tjera për Sali Berishën.

Çdo vit tjetër 15 tetori e ka gjetur Berishën në selinë e PD, mes shumë urimesh e lulesh blu për ditën e lindjes së tij.

Por këtë 80-vjetor e kaloi në izolimin në shtëpi, ku ai qëndron prej fundit të dhjetorit të vitit të shkuar.

Megjithatë kjo nuk ia humbi entuziazmin e festës.

Prej mëngjesit ai shpërndau një foto në liri, gjatë një ngjitjeje mali, për mbështetësit e tij virtual.

“Para meje një pamje kaq mahnitëse që kurrë nuk e kisha ëndërruar!”, thotë Berisha duke iu referuar motivit për betejën më të rëndësishme që ka përpara.

Dekada e 8-të e gjeti në shtëpi por ai hapi një dritare online për miqtë e tij.

“Unë zgjodha si momentin më kryesor të ditëlindjes sime, 80-vjetorit, komunikimin me miqtë e mi në rrjetet sociale.”

Atyre u dha mundësinë ti bëjnë pyetje të ndryshme, por në fillim u rikthye edhe një herë tek dita e tij.

“Unë dua t’u siguroj se mbështetja juaj ka qenë frymëzimi më i madh për mua.”

Por festa pati dhe momentet e saj te reflektimit. Nëse do të mund ta kthente kohën pas, dy gjëra do i bënte ndryshe.

“Nëse do kthehesha në kohë, ligji 7501 nuk do të ishte ky që është. Nëse do kthehesha në kohë, piramidat nuk do të ndodhnin kurrë. Nëse do kthehesha në kohë, janë shumë gjëra, por këto dyja janë më kryesoret që i kam peng.”

Majat e malit megjithatë në vend të tij i ngjiti aleati më i ngushtë Ilir Meta.

“Në lartësinë ku ndodhet, e përshëndes edhe unë me këtë foto time nga maja e Dobërdolit bashkë me urimin: MALET TONA MË TË LARTA!” , shkruan Meta, pas një telefonate urimi që ka zhvilluar me Berishën.

Lulet disa ngjyrëshe megjithatë nuk i pengoi kush të mbërrinin deri në kate të tetë në këtë përvjetor që Berisha fik 80 qirinj mbi tortën e ditëlindjes së tij./abcnews.al