Dy persona janë shpëtuar nga policia e Vlorës në bashkëpunim me Guardia di Finanza pasi skafi plastik me të cilin kishin dalë për peshkim pësoi defekt dhe për pasojë u fundos në det.
Policia, në një njoftim, thotë se dy personat janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
Rrezikuan jetën pasi skafi i tyre plastik i peshkimit u fundos në det si pasojë e një defekti që pësoi gjatë lundrimit, falë reagimit të shpejtë të Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet e Guardia di Finanza, shpëtohen dy shtetas që ndodheshin në bordin e mjetit lundrues dhe dërgohen për ndihmë mjekësore.
Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, në koordinim me Guardia di Finanza, ndërhynë menjëherë, duke mbërritur📍 në zonën detare përballë petroliferës, ku ekuipazhi i një skafi plastik peshkimi kërkonte ndihmë, pasi mjeti i tyre lundrues u fundos si pasojë e një defekti gjatë lundrimit⚠️. Falë ndërhyrjes në kohë, dy personat në bord u shpëtuan dhe u transportuan në mjetin lundrues të Guardia di Finanza, të cilët i shoqëruan në portin e Vlorës, ku më pas u transportuan në spital për ndihmë mjekësore 🏥, jashtë rrezikut për jetën.
Të dy shtetasit falënderuan Policinë Kufitare dhe Guardia di Finanza për profesionalizmin dhe reagimin e shpejtë në këtë situatë të vështirë.
Policia Kufitare vijon të jetë e angazhuar për sigurinë e qytetarëve dhe turistëve, dhe fton qytetarët që të raportojnë çdo rast të paligjshmërisë në numrin 112 ☎️./abcnews.al