Në pauzën e fundit nga ndeshjet e kombëtareve, mesfushori i Chelsea, Ross Barkley është fotografuar gjysmëlakuriq në një klub nate në Dubai. Anglezi, i cili është jashtë fushave për një muaj nga një dëmtim në kyçin e këmbës, e kishte lejen nga klubi për të shkuar me pushime, por ai i zhgënjeu drejtuesit me videon që tashmë është bërë virale në rrjetet sociale.
Trajneri Lampard nuk është i kënaqur nga veprimet e Ross, pasi është hera e dytë që ndodh diçka e tillë. Barkley në muajin shtator u përfshi në një xhiro me taxi në Liverpool, ku i habiti drejtuesit. “Në nivelet profesionale këto gjëra nuk ndodhin. Më pëlqen Barkley dhe nuk kam pasur asnjë problem me të që nga mbërritja e tij këtu”, deklaronte trajneri i Chelsea pas incidentit në shtator.
Mesfushori është grumbulluar në kombëtare muajt e fundit nga trajneri Southgate, por nuk ka luajtur në asnjë ndeshje. Ndërkohë, që ai vazhdon rikuperimin, blutë rikthehen në aksion këtë fundjavë, ku do të luajnë kundër kampionëve të Manchester Cityt në ‘Etihad Stadium’. /abcnews.al