“Djathtas larg Berishës, Basha në të njëjtin rrugëtim me PD”/ Kthupi: Grupimi do të garojë me lista të hapura

schedule18:41 - 14 Tetor, 2024

schedule 18:41 - 14 Tetor, 2024

Bashkëthemeluesi i “Djathtas”, Rezart Kthupi thotë se ky subjekt politik është distancuar nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, por të njëjtën gjë, nuk e ka bërë ende Lulzim Basha.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Kthupi u shpreh se Basha ndodhet në të njëjtin rrugëtim me Partinë Demokratike, teksa ende është anëtar i Grupit Parlamentar të kësaj force politike.

Kthupi shtoi se grupimi “Djathtas” do të garojë në zgjedhjet parlamentare me lista të hapura.

“Ne kemi ruajtur një grupim, nuk kemi zgjedhur drejtues. Lëmë derën hapur për këdo që do të kontribuojë. Ne duam të krijojmë një hapsirë, ata që duan të japin kontributin e tyre dhe pse jo të mos garojnë. Sigurisht që do të garojnë, me lista të plota. Por ne kemi një kusht, do të garojmë me lista të hapura. Në këtë formë japim një kontribut në fund të ditës. Kemi 4 subjekte që kanë vullnetin dhe dëshirën, që të shkojnë në zgjedhje me lista të hapura. E kemi një betejë të përbashkët. Të shikojmë nëse kemi pika të tjera të përbashkëta me formacionet e reja. Të mos bëhen marrëveshje me këtë mazhorancë në dëm të qytetarëve. Ai subjekt ka zgjedhur rrugën e përplasjes, protestës, dhunës në parlament. Ata që duan opozitë ndryshe, do ikin nga aty dhe do gjejnë veten kudo tjetër. Nëse PD nuk do të ofrojë alternativë, njerëzit do të zgjedhin subjekte të tjera politike. Ne kemi nisur një rrugëtim që e kemi nisur më përpara, më 9 shtator.

Kriza reale e PD filloi në vitin 2013. Ka një problem, pa dashur të analizojmë veprimet e zotit Basha. Nëse nisesh me prezumimin se do bësh parti të re, duhet të shkëputesh nga partia e vjetër. E kemi mbyllur rrugëtimin me PD, Basha ka rrugëtim të përbashkët me PD. Zoti Basha është ende anëtar i Grupit Parlamentar të PD. Këto gjëra duhen ndarë. Duam qartësi politike. Deputetët kanë peshë të caktuar, por nuk është gjithçka. Është herët për të vendosur objektiva të qënësishme,” theksoi ai./abcnews.al