“Procesi i Berlinit, rezultate pozitive”, Gjoka: Duhet të ndërtohet një udhërrëfyes i qartë, me afate dhe kontributet e vendeve të rajonit

schedule18:27 - 14 Tetor, 2024

schedule 18:27 - 14 Tetor, 2024

Ish ambasadori Sokol Gjoka thotë se procesi i Berlinit, i cili u krijua 10 vite më parë si një nismë për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor drejt rrugës për në BE, ka shënuar disa arritje pozitive por shtoi se ka edhe problematika. Në një intervistë për “Tirana Live” me gazetaren Elisa Gjerani, ai u shpreh:

“Ky proces ka arritjet dhe problematikat e veta në zgjatjen, ecurinë, produktet që ka prodhuar megjithatë ka dhënë më shumë produkte pozitive sesa efekte negative. Ndër më pozitivet ka qenë ndërlidhja midis vendeve të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet projekteve infrastrukturore me fondet e BE të thithura posaçërisht për procesin e Berlinit. Kemi disa korridore që lidhin vendet. Kemi nisma për një treg të përbashkët ekonomik, ku CEFTA ka ndikuar pozitivisht por edhe ekonomitë e vendeve të rajonit duhet të krijonin standardet e vendeve perëndimore ndërkohë që u bënë hapa të rëndësishëm për lëvizjen e njerëzve në vendet e njëri-tjetrit me lehtësira, ku aktualisht qarkullojnë me karta identiteti në pjesën dërrmuese të vendeve dhe së fundmi u krijuan mekanizma si fondi i Ballkanit Perëndimor ku selitë e këtyre dy qendrave ndodhen në kryeqytetin tonë. Edhe tryezat politike kanë qenë të shpeshta, që lejojnë diskursin politik dhe përplasjen e ideve që të shkohet drejt zgjidhjes së problematikave.

Megjithatë, sipas tij, procesi i Berlinit duhet të ishte më aktiv dhe të ndërtonte një udhërrëfyes të qartë për vendet e rajonit, duke vendosur afate dhe kontribute të përcaktuara për rrugën drejt unionit.

“Tashmë procesi i integrimit po konkretizohet gjithmonë e më shumë jo vetëm për ne por edhe për vendet e tjera të rajonit, ku kemi negociata të hapura me dy vende. Shqipëria po bëhet gati të hapë negociatat duke filluar nga nesër. Shpresojmë që dhe Maqedonia e Veriut të ketë përqasje sa më të shpejtë në hapjen e negociatave në një kohë kur Bosnje Hercegovina dhe Kosova ndodhen pak më mbrapa por veçanërisht për Kosovën duhet të ushtrohet vëmendje më e madhe por duke vënë në pah rezultatet pozitive të procesit të Berlinit, duhet të ishte më aktiv dhe intensive në të gjithë veprimtarinë e tij, por në të paktën në harku kohor të 5 viteve duhet të kishte udhërrëfyes të qartë për vendet tona në rrugëtimin drejt BE me afate dhe kontribute të përcaktuara.”, shtoi ish ambasadori./abcnews.al