Protesta/ Policia ka listën e “rrëmujaxhinjve”. Nuk ndalet qarkullimi, në rrugët e tjera të kryeqytetit jeta vijon normalisht

schedule18:24 - 7 Tetor, 2024

schedule 18:24 - 7 Tetor, 2024

TIRANË- Policia e Shtetit ka në dorë një liste me emra personash, të cilët kanë qenë protagonistë të rrëmujave në protestat e kaluara të organizuara nga Partia Demokratike.

Gazetarja e ABC News, Xhensila Kodra raporton se janë mbi 30 persona, të cilët janë nën vëzhgimin e shtuar të Policisë.

Duke raportuar nga kryqëzimi i “Rrugës së Elbasanit”, gazetarja Kodra tha se qarkullimi i mjeteve vijon normalisht.

“Është bërë një listë paraprake nga Policia e Shtetit me persona që më herët, në protesta e mëparshme të organizuara nga PD, kanë qenë persona e precedent penalë, por edhe ata që kanë përdorur akte dhunë dhe hedhjen e molotovëve drejt Policisë. Janë më shumë se 30 persona. Këta persona, që janë të dyshimtë nga forcat e policisë dhe nëse do t’u gjenden sende të jashtëligjshme do t’u sekuestrohen dhe do të shoqërohen në komisariatet përkatëse”, raportoi Kodra.

Gazetari Ermal Vija, duke raportuar nga një nyje tjetër e kryeqytetit, pranë Zogut të Zi, tha se situata është e qetë dhe pa probleme.

“Qarkullimi i mjeteve vijon normalisht dhe bëhet hyrja në të dyja krahët e unazës së vogël. Nuk vihen re ndonjë dyndje e madhe. Pranë rrethrrotullimit të “Zogut të Zi” gjendet dhe patrullat të Policisë Rrugore për të shmangur trafikun. Gjithçka paraqitet e qetë”, tha ai/abcnews.al