Risena Xhaja është emëruar në krye të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka prezantuar Kryeadministratoren e re të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), duke u shprehur se vjen nga një përvojë e gjatë në administratë.
Ministri Hoxha gjithashtu nwnvizoi se tashmë, me emërimin e Kryeadministratores së re kërkon puna e kryer deri tani, tw arrijw në një shkallë edhe më të lartë veprimi, me një ritëm të ri e më të shpejtë.
“E nisëm ditën sot me prezantimin e Kryeadministratores së re të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, e cila vjen nga një përvojë e gjatë në administratë.
Vlerësova punën disamujore të z. Idriz Haxhiaj, në drejtimin e AAPSK, si Kryeadministrator i komanduar. Disa nga rezultatet e dy viteve të fundit, – me shifra që ndonjëherë kapërcejnë në dyfishim, – dëshmojnë seriozitetin e punës së kryer deri më sot. Tashmë, me emërimin e Kryeadministratores së re kërkojmë që këtë punë të mirë, të kryer deri tani, ta ngremë në një shkallë edhe më të lartë veprimi, me një ritëm të ri e më të shpejtë.
Agjencia është një mekanizëm jashtëzakonisht i rëndësishëm për luftën kundër krimit, përmes miradministrimit të të ardhurave të paligjshme, si goditje e krimit të organizuar në pikën më nevralgjike, që është paraja. Si ministër i Brendshëm e sigurova Kryeadministratoren, se për çdo problematikë të mbartur apo ato që dalin rrugës, do të ketë mbështetjen e plotë.
Ndërkohë, dua të informoj edhe publikun, se është duke u finalizuar dhe do të dërgohet për miratim nisma ligjore për rikuperimin e aseteve. Zyra e Rikuperimit të Aseteve (ZRA) është projektuar si një njësi proaktive pranë Policisë, sipas modelit të disa vendeve evropiane. Kjo njësi, ndryshe nga AAPSK, do të përdorë inteligjencën policore për të ndjekur paranë apo prona me burim të dyshimtë”, ka thënë më tej ministri Hoxha.