Koloneli Foto Duro thotë se pasojat e përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme do të ndihen edhe në vendin tonë. I ftuar në emisionin “360 gradë”, ku po flitet për sulmin raketor të Iranit ndaj Izraelit, ai tha se do të ketë pasoja të ndjeshme politike, ekonomike dhe ushtarake për Shqipërinë dhe Kosovën.
“Ky përshkallëzim do të ketë efekte politike, ekonomike, ushtarake edhe mbi ne dhe Kosovën. Politike sepse së pari Evropa dhe Perëndimi është mërzitur me gërr vërret shqiptare politike dhe do të na largojë më tepër nga vëmendja dhe fokusi që kemi pasur deri më tani. Ekonomike sepse që dje u rit çmimi i naftës dhe një numër mallrash të tjera të ndërvarura do të rriten dhe do të kemi problem ekonomike deri në rrugët e furnizimit.
Ndërsa për sa i përket anës ushtarake do të thosha që në rastin e një situate ekstreme me përdorim raketash, NATO ka futur sistemin e saj të ngjashme me Iron Dom. Të gjitha vendet e NATO-s janë të siguruara. Kryesisht teknologjia është amerikane. Pavarësisht se nga ana ushtarake nuk mund të kundërveprojmë, ne duhet të përgatisim popullsinë. Ne nuk kemi as sirena, as protokolle se ku të shkojmë. Pra lidershipi i lartë politik dhe ushtarak i vendit nuk mund të drejtojë nga zyrat. Bunkerët i kemi bërë muze. Pra pasoja politike, ekonomike dhe ushtarake do të jenë të ndjeshme për ne dhe Kosovën”, u shpreh Duro./abcnews.al