Fermerët që duan të investojnë në serra, stalla bagëtish apo akuakulturë do të mbështeten me grante nga buxheti i shtetit. Në mbledhjen e qeverise është miratuar Skema Kombëtare e Investimeve në Ferma aplikimet për të cilën do të hapen në 1 tetor. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj deklaroi të mërkurën se qeveria do të financoj 50% të investimit në formën e grantit.
Lidhur me këtë është diskutuar në emisionin “Sheshi i Dollarit”, ku presidenti i KASH, Agim Rrapaj e konsideroi buxhetin 5 milionë euro për fermerët një lajm të mirë.
Ndërsa, eksperti i bujqësisë, Ilir Pilku tha se me rëndësi është sigurimi i prodhimit për popullsinë. Sipas tij, është e pafalshme që të importojmë produkte që mund të prodhohen në vendin tonë.
“Ky 5 milionësh është një lajm i mirë në konceptin e këtyre muajve dhe ne duhet t’u themi fermerëve të aplikojnë, sepse ka një mundësi reale që ata të marrin 30% të vlerës brenda këtij viti. Edhe kjo mund t’i jap mundësinë për të parë në vijimësi procesin. Unë do t’u bëja thirrje përsëri fermerëve që të rrisin aplikimet sepse është një presion ndaj qeverisë, ndaj ministrisë, në mënyrë të tillë që ne nuk jemi në situatën që nuk kemi nevojë. Ne jemi në situatën e emergjencës për disbursuar sa më shumë fonde. Do të thosha që të disburosojmë sa më shumë fonde, sepse është domosdoshmëri. Jo se ne nuk kemi sera për të mbjellë, por jemi në një moment që po diskutohet projekti i vitit tjetër dhe ne duhet të ballafaqojmë nevojat dhe kërkesat tona, me nevojat dhe kërkesat që ka bujqësia”, tha Rrapaj.
“Shqipëria është në një sfidë me dy fusha, e para është sigurimi i prodhimi dhe e dyta është çfarë marketshare ne do të arrijmë me prodhimin tonë bujqësor. Po ta shikojmë dhe ta analizojmë në këto dy rrafshe do të dalim përsëri te buxheti dhe te objektivat që ne kemi. Është e patolerueshme të importojë Shqipëria 2.4 milionë dollarë hudhër, është e pafalshme. Duhet të kesh një prodhim vendas. Po të bëjmë një analizë të 2024, për herë të parë ka ndodhur që nga janari deri në fund të prillit kemi pasur importin e domates. Kemi importuar 1.1 milionë dollarë në vitin 2023 domate vetëm nga Turqia. Ndërkohë që jemi një vend me një klimë mesdhetare të shkëlqyer dhe neve na humbin këto tregje”, u shpreh Pilku./abcnews.al