Ledian Memushaj pritet të mbetet në Serinë A

schedule19:44 - 9 Janar, 2018

schedule 19:44 - 9 Janar, 2018

Ledian Memushaj mesa duket nuk do të largohet nga Italia. Paraqitjet e mira të kohëve të fundit po e bindin Beneventon që ta mbajë shqiptarin në Serinë A.

E kërkoi Flamurtari, por vështirë t’ia dalë.
Ledian Memushaj vërtet është vlonjat dhe lojtar i kombëtares, por ambicia e tij mbetet futbolli i nivelit të lartë.
Në moshën 31-vjeçare ai synon të mbetet sërish në ekipin përfaqësues, dhe kjo arrihet vetëm duke luajtur në një nga ligat europiane.

Mesfushori u mendua që të mos mbahej nga Benevento në Serinë A, por ai luajti shumë mirë në suksesin 3-2 ndaj Sampdorias, fitorja e parë në histori e kësaj skuadre në elitën e futbollit italian.
Gjatë këtyre ditëve, përveç Flamurtarit, për Memushajn interesohej edhe Bari, ekipi i Serisë B ku luan Migjen Basha, veçse edhe puljezët duket se do të mbeten pa gjë.

Vlonjati po tregon më në fund aftësitë e tij, pavarësisht problemeve fizike, aftësi që e bënë një lojtar të dalluar për disa vite tek Peskara, me të cilën mbërriti në Serinë A.
Ai është i huazuar tek Benevento pikërisht nga Peskara, ndërsa me mbi 200 ndeshje në Serinë A e Serinë B, dhe me gati 40 gola, mbetet një futbollist mjaft i vlerësuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!