Gjykata Administrative ka shtyrë sërish vendimin për projektin Veliera në Durrës, për veprime procedurale. Fati i Velierës do të vendoset në seancën e radhës, në 25 janar. Shoqëria civile pretendon se ky projekt ka dëmtuar zonën arkeologjike A.
Shqyrtimi në themel i aktpadisë për “shfuqizimin e projektit Veliera” është kërkuar nga shoqëria civile disa muaj më parë, por kjo gjykatë ende nuk ka arritur në një vendim.
Trupi gjykues shtyu dhënien e vendimit më 25 janar. Të pranishëm në seancë ishin perfaqesues të bashkisë, ekspertë arkeologë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Këta të fundit u përfaqësuan nga Mirela Jorgo avokate dhe Sazan Guri ambientalist.
Shoqëria civile kërkon shfuqizimin e plotë të projektit “Veliera” me pretendimin se është dëmtuar zona arkeologjike A, gjatë gërmimeve të kryera nga firma zbatuese, aty ku edhe dolën strukturat e shekullit të 18-të.
Më herët në fillim të seancës gjyqtari i çështjes Ergys Gashi, pati debate me ambientalistin Sazan Guri, pasi nuk lejoi mediat te ishin prezente në sallë.
Punimet për zbatimin e projektit “Veliera” u pezulluan në muajin mars të vitit 2017./abcnews.al