Kreu i bashkisë së Elbasanit po zhvillon një takim me drejtues të kompanisë “Kurum”, pasi 500 punonjës mbetën të papunë pas ndërprerjes së punës dhe pushimit të tyre në mënyrë të menjëhershme.
Takim vazhdon për gati një orë dhe temë diskutimi është pushimi i punonjësve nga puna. Mbetet për t’u mësuar se çfarë është deklaruar edhe për mbetjet e rrezikshme.
“Lëvizjet në oborret e fabrikës janë reduktuar, duket se aktiviteti është ndërprerë”, raportoi gazetarja Ajgena Korbi.
Shumë prej punonjësve janë treguar të rezervuar për të dhënë detaje lidhur me këtë situatë, ndërsa gazetarja Ajgena Korbi tha se është mësuar se kompania u ka premtuar rikthimin në punë pas rimëkëmbjes.
Kujtojmë se Kompania pranoi në fund të gushtit se prej fillimit të muajit uzinat e çelikut dhe petëzimit në ish-kombinatin metalurgjik ndërprenë prodhimin. Kjo sipas saj për shkak të vështirësive ekonomike gjë që nuk reflektohet në bilancet e tre viteve të fundit të kompanisë ku rezulton me fitim.
Rreth 500 familje sipas autoriteteve kanë mbetur pa punë, por “Kurum” mohoi pushimin kolektiv.
/abcnews.al/