Holanda i ka dhënë leje Ukrainës t’i përdorë avionët luftarakë F-16 në territorin rus, të cilët i ka dhuruar kohë më parë.
Lajmi u bë i ditur nga komandanti i Forcave të Armatosura të Holandës, Onno Eichelsheim.
“Ne nuk kemi vendosur kufizime në përdorimin dhe gamën e F16-shave, nëse zbatohen ligjet e luftës”, tha Eichelsheim për transmetuesin publik NOS.
Duke folur nga Shtetet e Bashkuara, gjenerali Eichelsheim tha se kolegët amerikanë janë pajtuar “pjesërisht” me qëndrimin e tij.
Holanda ia ka dhuruar Ukrainës 24 avionë luftarakë F-16.
Eichelsheim nuk ka dashur të tregojë nëse Ukraina është duke e përdorur tani ndonjë prej tyre.
F16-shat, të ndërtuar nga Lochheed Martin, kanë qenë dëshirë e kamotshme e Ukrainës, për shkak të forcës së tyre shkatërruese. Ky avion mund të bartë bomba, predha dhe raketa.
Pilotët ukrainas janë trajnuar se si t’i përdorin F16-shat nga partnerët perëndimorë për muaj të tërë.
Ushtria ukrainase është detyruar të varet nga një tufë e vogël e avionëve luftarakë të epokës sovjetike për ta zmbrapsur pushtimin rus, që nisi më 2022.
Zyrtarët ukrainas i shohin avionët F-16 si një përditësim jetik për Forcën e tyre Ajrore. /rel