Një zyrtar i lartë rus dhe aleat i presidentit rus Vladimir Putin tha sot se Uashingtoni qëndron pas arrestimit në Francë të Pavel Durov, themeluesit dhe CEO i platformës Telegram që luan një rol kyç në menaxhimin e komunikimit të luftës në Ukrainë nga Rusia.
Durov, një biznesmen me origjinë ruse, u arrestua në Francë gjatë fundjavës si pjesë e një hetimi mbi krimet që lidhen me pornografinë e fëmijëve, trafikun e drogës dhe mashtrimin në transaksionet e platformës, thanë prokurorët francezë të hënën.
Pa dhënë detaje, Vyacheslav Volodin, kryetari i Dumës, dhoma e ulët e parlamentit rus, tha se Shtetet e Bashkuara po përpiqen, nëpërmjet Francës, të vënë Telegram nën kontrollin e tyre.
Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar arrestimin e Durov. Presidenti francez Emmanuel Macron tha se arrestimi “nuk ishte aspak një vendim politik”.
Kremlini tha dje, të hënën, se nuk kishte parë ende asnjë akuzë zyrtare franceze kundër Durov.