Kalaja e Porto Palermos/ Turistët e huaj ndalen për historinë e Ali Pashë Tepelenës

schedule13:42 - 24 Gusht, 2024

schedule 13:42 - 24 Gusht, 2024

Kalaja trekëndore e Ali Pashës, në Porto Palermo është kthyer si një magnet që tërheq gjithnjë dhe më shumë vizitorë. Kushdo që kalon në rrugën e bregut, nuk heziton të ndalojë për të parë nga afër kalanë, një nga atraksionet kulturore më unike të Shqipërisë.

Të joshur herë nga vendndodhja e kalasë e herë nga historia e Pashait të Janinës me Vasiliqisë, për të huajit Kalaja e Porto Palermos është gjithmonë një pikë ndalese.

“Ne po vijmë nga Himara dhe që nga rruga na bëri përshtypje dhe thamë që nuk duhet ta humbim pa e parë këtë vend. Nuk dinim shumë, ndaj sapo lexuam ne internet na u duk interesante edhe erdhëm menjëherë. Sapo erdhëm dhe përshtypje e parë është impresionuese dhe sa i përket që është një kala e ndërtuar për dashurinë më kujton “ Taj Mahal “ ne Indi që është një tempull i ndërtuar po ashtu nga Shahu për gruan e tij të dashur”, janë shprehur turistët.

E intriguar nga historia e Ali Pashës, kjo turiste angleze ka mbërritur në Porto Palermo për të parë nga afër kalanë e dashurisë.

“Ne ishim të interesuar të shihnim diçka tjetër sesa vetëm plazhet. Duke pare kalanë po flisnim sesi Ali Pasha qeveriste në kohën e tij, ndryshimet që bëri në qeveri dhe për marrëdhëniet dhe lidhjet e tij me Anglinë dhe Francën. Thuhet se është një kala e ndërtuar për dashurinë, por duket shume e fortë nga jashtë.”, tha një tjetër turiste e huaj.

Sugjerimet e miqve që e vizituan Gjirin e Porto Palermos dhe kalanë një vit më parë, e sollën në kala këtë turist norvegjez.

“Jemi në Shqipëri prej një jave, dhe duam të shohim vende të vjetra e historike. Disa miq të mi ishin në Shqipëri vitin e kaluar dhe unë u kërkova disa sugjerime se ku te shkoja dhe cilat vende te vizitoja. Porto Palermo ishte një nga 10 vendet që më sugjeruan. Dhe unë sigurisht që do e rekomandoj tani Porto Palermon si një nga vendet që duhet vizituar kur miqtë dhe familjaret e mi të vijnë këtu”, tregoi turisti nga Norvegjia.

Më shumë se 100 vizitorë në ditë shohin nga afër kalanë e Ali Pashës, të cilën e ndërtoj për gruan që deshi, buzë Jonit në gadishullin mahnitës të Porto Palermos.

/abcnews.al/