Plagosja në Tiranë/ Dëshmia e policit Goxhara: Lorenc Kostën e pashë rastësisht, s’e qëllova me paramendim

schedule10:27 - 22 Gusht, 2024

schedule 10:27 - 22 Gusht, 2024

TIRANË-Polici Erjon Goxhara që plagosi me armën e shërbimit 45-vjeçarin Lorenc Kosta për motive xhelozie, mohon të ketë vepruar me paramendim.

Pas dorëzimit në polici e Tiranës ai ka dhënë dëshminë e tij para grupit hetimor duke treguar edhe dinamikën e ngjarjes.

“Kam qenë në restorant me vajzën time dhe kam parë Lorenc Kostën rastësisht. Kam çuar diku vajzën dhe e kam lënë aty dhe jam kthyer ku edhe kam qëlluar ndaj tij. Nuk e kam bërë me paramendim, dhe nuk kam patur për qëllim ta vras. Kam përdorur armën e shërbimit që mbaja me vete”, ka thënë në dëshminë e tij Erjon Goxhara.

Nga ana tjetër oficerët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe hetuesit e prokurorisë së Tiranës, kanë dyshime se lëvizjet e Goxharës kanë qenë të mirëmenduara.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e referoi dosjen në Prokurori për akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë. Ndërkohë Goxhara u vetëdorëzua të mërkurën pas negociatave me familjarët e tij.

Nga ana tjetër ende nuk është arritur të merret dëshmia e të plagosurit Lorenc Kosta për shkak të gjendjes shëndetësore.

Grupi hetimor ka sekuestruar edhe videon që polici i dërgoi kunatit pas plagosjes ku i drejtohet i Kostës më fjalët, që nuk duhet të hyjë në familjen e të tjerëve madje e gjuan edhe me shkelm në fytyrë.

/ abcnews.al