Protestuesit pro-palestinezë përleshen me policinë pranë konsullatës izraelite në Çikago

schedule17:42 - 21 Gusht, 2024

schedule 17:42 - 21 Gusht, 2024

Një numër i madh demonstruesish pro-palestinezë u arrestuan të martën pas përleshjeve me policinë, gjatë një proteste që filloi jashtë konsullatës izraelite e përfundoi në rrugët e Çikagos, ndërsa në qytet po mbahej dita e dytë e Kuvendit Kombëtar Demokrat.

Përplasjet intensive me policinë nisën disa minuta pas fillimit të demonstratave. Disa protestues – shumë prej tyre të veshur me të zeza, e me fytyra të mbuluara – sulmuan një kordon policie që nuk po lejonte turmën që të marshonte.

Ata arritën t’i kalojnë policët, por disa herë gjatë natës forcat e sigurisë arritën t’i bllokojnë protestuesit.

Dega e Çikagos, e Shoqatë Kombëtare të Avokatëve, një organizatë e majtë, progresiste, njoftoi se të paktën 72 persona ishin arrestuar.

Një pjesë e madhe e arrestimeve u kryen pak përpara mesnatës, ndërsa policia kishte rrethuar në një shesh demonstruesit që kishin mbetur – disa prej të cilëve thanë se po përpiqeshin të shkonin në shtëpi.

Kryeinspektori i policisë Larry Snelling hodhi poshtë akuzat se forcat e sigurisë i kishin ‘rrethuar’ protestuesit, sipas një taktike që përfshin grumbullimin e demonstruesve në një zonë të mbyllur, një praktikë kjo e ndaluar me vendim gjykate.

Snelling, i cili ka qenë i pranishëm në të gjitha demonstratat e mëdha gjatë kuvendit, vlerësoi punën e policisë në mënyrën se si i ka trajtuar protestat, duke shtuar se përgjigjja e forcave të sigurisë ka qenë ajo që duhej./VOA/