Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni i ka kërkuar presidentit iranian Masoud Pezeshkian që të shmangë përshkallëzimin në Lindjen e Mesme.
Meloni zhvilloi bisedë telefonike me Pezeshkian, sipas një deklarate nga qeveria italiane, shkruan Al Jazeera.
Gjatë bisedimeve, Meloni “theksoi nevojën për të parandaluar zgjerimin e konfliktit të vazhdueshëm në Gaza, duke përfshirë Libanin, duke i kërkuar homologut të saj të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm dhe të rihapë rrugën drejt dialogut”.
Meloni përsëriti angazhimin e Italisë për “promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në deklaratë, dhe se një armëpushim në Gaza dhe lirimi i robërve të mbajtur në Gaza është “i nevojshëm”./abcnews.al