Parisi nuk do të kishte kuptim pa Senën. Madje, lumi konsiderohet nga parizienët në një nivel me kullën “Eiffel”. I rëndësishëm është edhe për Lojërat Olimpike, pasi organizatorët vendosën që disa prej garave ujore, përfshirë ato të thellësisë në atletikë si triatloni, apo ato me kanoe të zhvilloheshin pikërisht në Sena.
Për këtë qeveria franceze investoi më shumë se 1.5 miliard euro në një projekt disa vjeçar për purifikimin e tij, duke vendosur një impiant modern.
Por lumi identifikues i kryeqytetit francez është kthyer në një temë polemikash dhe rrezikon të “ndotë” të gjithë turneun.
Pastërtia e tij është diskutuar përpara nisjes së Olimpiadës, ndërsa u kthye në qendër të vëmendjes në datën 30 korrik, kur organizatorët vendosën të shtynin garën e triatlonit për meshkuj, pasi analizat e përditëshme treguan norma të larta ndotjeje.
Më parë disa atletë kishin shfaqur probleme shëndetësore sidomos në aparatin tretës, por edhe të vjella pas garave të tyre në Senë.
Por për t’i hedhur benzinë zjarrit të polemikave ka menduar Komiteti Olimpik Belg, që të hënën tërhoqi skuadrën nga gara ekipore e përzierë e triatlonit. Shkak u bë sëmundja e atletes Kler Mishel, e shtuar në spital prej katër ditësh, e diagnostikuar me Escherichia Coli. Ajo shfaqi shqetësime pas garës individuale, që përfshinte edhe notin në Sena.
Por organizatorët francezë shprehen se cilësia e ujit në lumë I nënshtrohet analizave strikte dhe se është brenda normave. Në rast të kundërt, ata kanë edhe një plan B për zhvillimin e garave.