Vrasjet seri nga vëllezërit “Çopja”, SPAK zbardh përplasjet mes bandave në Elbasan

schedule15:22 - 1 Gusht, 2024

schedule 15:22 - 1 Gusht, 2024

Prokuroria e Posaçme ka reaguar zyrtarisht për operacionin e zhvilluar të mërkurën kundër grupi kriminal në Elbasan të drejtuar prej vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja.

Prokuroria ka hedhur dritë mbi një seri vrasjesh e atentatesh që kanë si motiv përplasjen e vëllezërve Çopja me të arrestuarin Erjon Alibej.

Organi i akuzës, dyshon se grupi i Franc Çopjas i cili ndodhet i arrestuar në Belgjike dhe i Hajdar Çopjas i cili aktualisht ndodhet në Dubai, veprimtarinë kriminale e kanë nisur që në vitin 2006, në Itali duke shpërndarë kokainë.

Për të zotëruar tregun e trafikut të kokainës, kjo organizatë kriminale në vitin 2018 filloi eliminimin e kundërshtarëve kryesisht të fisit Alibej në Elbasan.

Vrasja e trefishtë, më 29 Dhjetor të vitit 2018, ku u vra edhe Endrit Alibej, vëllai i Erion Alibejt, sipas SPAK, është kryer nga banda e vëllezërve Çopja, pikërisht për prishjen e pazareve të drogës. Më pas sipas SPAK, kjo ngjarje u pasuar me urdhërimin për të eliminuar fizikisht të afërmit e Endrit Alibejt, ku si rrjedhojë janë ekzekutuar 3 persona të tjerë.

Në dosjen hetimore të SPAK, grupi “Copja” në Elbasan, është përgjegjës, edhe për vrasjen e Aldo Bahos, Andi Zylyfi, Klevis Kapllani, si për tentativën për të vrarë, Kei Pikun, Irfan Azizin dhe Minella Muçin.

Mes të tjerave, organi i akuzës, thotë se ka zbuluar fakte penale të përfshirjes së bandës “Copja”, edhe në grabitjen e miliona eurove në aeroportin e Rinasit më 9 prill të vitit 2019.

Kjo organizatë kriminale sipas prokurorëve të posaçëm, në të paktën 4 raste ka tentuar që të eliminojë fizikisht edhe vëllanë e Endrit Alibejt, Erion Alibejn, tentative këto që datojnë nga nëntori i vitit 2019 deri në nëntor të vitit 2020.

Në dy episode të tjera, sipas hetimeve rezulton se grupi kriminal I drejtuar nga Franc dhe Hajdar Copja, kanë siguruar kushte edhe për vrasjen e Nuredin Duamanit në vitin 2020.  Në total SPAK, e përfshin grupi “Copja” në të paktën 26 ngjarje kriminale.

Franc Çopja, në raste të përsëritura ka realizuar transferime parash në pika të këmbimit Valutor, duke ia dërguar personave të tij të besuar, si pagesë për vrasjet e porositura.

Gjatë operacionit janë mundur të sekuestrohen 1 milion euro kesh, 42 pasuri, si vila, tokë, apartamente, një pallat në ndërtim si dhe 4 llogari bankare.

Me kërkesë të SPAK më 29 korrik, Gjykata e Posaçme lëshoi  33 masa sigurie, ku deri më tani janë mundur të ekzekutohen 13 prej tyre ndërsa, 2 persona të tjerë gjenden të arrestuar jashtë Shqipërisë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!