EMRAT/ Në kërkim ndërkombëtar, ekstradohen tre persona, akuzohen për krime kundër pasurisë e pronës

schedule16:43 - 31 Korrik, 2024

schedule 16:43 - 31 Korrik, 2024

Dy shtetas të akuzuar për vepra penale në fushën kundër krimeve të pasurisë dhe pronës janë ekstraduar nga Italia, ndërsa një tjetër është ekstraduar nga Zvicra.

Sipas policisë  Salvatore CASTORINA alias Andrea Di DIO alias Salvatore CASCINO, 50 vjeç ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Shtetasi italian gjatë periudhës dhjetor 2019 – mars 2020, në bashkëpunim me 2 shtetas shqiptarë, kanë krijuar një skemë mashtruese të shoqërive fiktive, për qarkullimin e shumave monetare në lidhje me rimbursimin e TVSH-së.

Gjithashtu nga Italia është ekstraduar edhe Enea Korreshi, 31 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Apelit Vlorë, e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Vjedhja”, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka vjedhur pjesë këmbimi të automjeteve në një subjekt në Lushnjë.

Ndërkohë si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Bern, Zvicër, u ekstradua drejt Shqipërisë, shtetasi Xhelal Krasniqi, 39 vjeç.

39-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi kriminal”.

Sipas policisë 39-vjeçari në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në kuadër të grupit kriminal, kanë prodhuar dokumente identifikimi të falsifikuara, kryesisht për shtete të BE-së, për shtetas që synonin të udhëtonin drejt Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe vendeve të BE-së.

/abcnews.al/