Tirana mirëpret marrjen e Presidencës së BE nga Hungaria, Veliaj: Shqipëria po punon përditë për integrimin në BE

schedule13:53 - 30 Korrik, 2024

schedule 13:53 - 30 Korrik, 2024

Hungaria do të udhëheqë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian për gjashtë muajt e ardhshëm. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës organizoi dje në mbrëmje një ceremoni të posaçme, në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë, ku mori pjesë kryebashkiaku Erion Veliaj, i ngarkuari me punë i Ambasadës Hungareze në Tiranë, Adam Lovassy, Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, etj.

Në fjalën e tij, Veliaj tha se Shqipëria dhe Tirana e mbështesin Hungarinë në drejtimin e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian dhe vuri në dukje marrëdhëniet e mira, ndër vite, mes dy vendeve tona. “Në këto 9 vite si kryebashkiak kam pasur fatin të takoj dy Presidentë të Hungarisë, një herë për sheshin e vogël kushtuar Janosh Huniadit, e më pas për vendosjen e monumetit të Mbretëreshës Geraldinë. Më gëzon fakti kur shoh sot se si po lulëzojnë edhe marrëdhëniet e biznesit mes vendeve tona – një nga kompanitë kryesore ajrore “WizzAir”, theu murin e çmimeve të larta të fluturimeve dhe sot i ka hapur rrugën edhe kompanive të tjera low cost, duke e kthyer aeroportin e Tiranës në numrin një në Ballkanin Perëndimor; kur shikoj edhe kompanitë tona të telekomunikacionit, njëra në pronësi hungareze, kurse tjetra që drejtohet nga një hungarez, kuptoj se si janë forcuar marrëdhëniet e biznesit. Por, edhe një nga bankat kryesore në vend është gjithashtu, një investim hungarez”, tha Veliaj.

Lidhur me integrimin e Shqipërisë në BE, kryebashkiaku i Tiranës tha se Shqipëria vitet e fundit po punon seriozisht për t’ia arritur këtij qëllimi dhe se anëtarësimi në BE do të jetë kurorëzimi i një pune të madhe. “Ambicia e Shqipërisë 2030 është ambicia e Shqipërisë që integrohet në Bashkimin Europian. Jam i sigurt se ngritja e dorës për miratimin e anëtarësisë sonë mund të zgjasë vetëm 30 sekonda, por pas tyre fshihen 40 vite punë. Ne jemi duke punuar për këtë dhe e kemi marrë shumë seriozisht, sidomos vitet e fundit. Nuk e them se kemi qenë seriozë në të 40 vitet e kësaj praktike, por vitet e fundit e kemi marrë shumë seriozisht, ndaj gjatë presidencës hungareze duam të sigurohemi që bëjmë maksimumin për t’i kthyer ngjyrat kuqezi, aty ku e kanë përkatësinë e tyre, aty ku kanë aspiratën e tyre, aty ku të gjithë shohin drejt Perëndimit”, tha ai.

Veliaj shtoi se është kollaj t’i prishësh gjërat, njësoj sikur shformon Kubin e Rubikut, por duhet shumë kohë për të rikuperuar dhe për t’i kthyer ngjyrat në vendet e tyre fillestare. “Objekti që kam në dorë është Kubi i Rubikut, është e vetmja lodër e komunizmit që i mbijetoi tranzicionit. Nëse i them secilit prej jush, ta prishë Kubin e Rubikut, e bën fare thjeshtë. Nuk ka nevojë as për doktoraturë, as të shkosh te Kolegji i Europës, as të kesh mbaruar kurse trajnimi. Një gjë e bukur prishet kollaj. Por, po t’ju them kthejeni Kubin e Rubikut siç ishte, atëherë duhet pak punë. Kjo është një metaforë shumë e bukur. Është shumë kollaj sot t’i prishësh gjërat. Sot në Europë ka një luftë. Është shumë kollaj të hapësh konflikt, por shumë më e vështirë ta kthesh gjënë e bukur siç ishte. Është shumë kollaj ta thyesh një enë kristali, është shumë e vështirë që ato copat e vogla t’i ngjisësh bashkë, por edhe po i ngjite, prapë nuk do të jenë kurrë si origjinali. Ndaj, unë besoj se në këtë kontinent që ne e quajmë Europë, por edhe në këtë bashkësi politike, që ne e quajmë Bashkimi Europian, është shumë kollaj të thyesh gjëra, por është shumë e vështirë t’i bësh gjërat bashkë. Shumë gjëra janë thyer për kombin tonë, që nga pushtimi 500-vjeçar te diktatura komuniste, dhe tranzicioni jashtëzakonisht i vështirë. Por, si Kubi i Rubikut, me simbolikën e të kthyerit në origjinë, sfida jonë e jashtëzakonshme është të kthyerit aty ku ishim, aty ku e kemi përkatësinë, në Europë dhe në Bashkimin Europian”, u shpreh Veliaj.

I ngarkuari me punë i Ambasadës së Hungarisë në Tiranë, Adam Lovassy, falenderoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës për mbështetjen dhe organizimin e ceremonisë. “Ne hungarezët jemi përgatitur shumë për Presidencën tonë, prandaj kemi 7 prioritete: Në gjysmën e parë të vitit do të përqendrohemi në konkurrueshmërinë, në politikat e mbrojtjes, të zgjerimit, pikëpyetjet mbi emigracionin, çështjet e bujqësisë dhe jo më pak të rëndësishme, ndryshimet demografike në BE. Dikush mund të thotë që këto 7 prioritete janë të përputhshme për Shqipërinë, por nuk është vetëm Hungaria që ka punuar për Presidencën Europiane, edhe Shqipëria ka bërë detyrat e saj të shtëpisë dhe i ka kryer ato shumë mirë. Hungaria është gati, Shqipëria është gati. Të gjithë i kemi kryer detyrat e shtëpisë për t’u përqendruar në politikat e zgjerimit të BE. Faleminderit shumë që na keni ftuar këtu sot, e vlerësojmë shumë punën tuaj dedikuar forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-hungareze dhe mbështetjen tuaj për ta sjellë Shqipërinë aty ku i takon, brenda BE-së”, tha Lovassy.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!