E cilësojnë sipërmarrjen më të jashtëzakonshme që mund të bëhet.
Këto janë fjalët e ministrit të brendshëm francez, Gerald Darmanin, për masat e sigurisë të ndërmarra për të mbrojtur Lojwrat Olimpike, me rreziqet që parashikohen të jenë të shumta, në mes të luftërave në Palestinë, Ukrainë dhe problemeve në vendet ish-koloni të Francës, në Afrikë apo në Oqeani.
Për këtë arsye, organizatorët kanë ndërmarrë atë që cilësohet si operacioni më i madh i sigurisë që ka ndodhur ndonjëherë në kohë paqeje, ku shifrat janë goxha imponuese.
Në total, forcat e angazhuara arrijnë në 75 000, shumë më tepër sesa numri i atletëve që është rreth 10 700.
Qeveria franceze ka angazhuar plot 45 000 forca policore dhe paraushtarake. Këtyre u shtohen 10 000 ushtarë, të ndarë në reparte të ndryshme, si dhe 20 000 roje private të sigurisë.
Sipas raportimeve më të fundit të mediave, vetëm për ceremoninë e hapjes u shpall një zonë ndalimi fluturimi me rreze 150 kilometra rreth Parisit.
Siç deklaronte më parë Presidenti Macron, Franca ndryshoi planet e mëdha për të pasur 1 milionë spektatorë në ceremoninë e hapjes, duke e zbritur numrin në rreth 326 000.
Qendra e Parisit është izoluar me barriera të përforcuara metalike, ndërsa ushtria franceze do të zhvillojë operacione kundër dronëve, me pajisje elektronike dhe pajisje ushtarake të teknologjisë së lartë.
Franca ka arritur të organizojë Lojëra Olimpike me kosto të ulët, rreth 9 miliardë euro, por shpenzimet për sigurinë janë të mëdha. /i.m /abcnews.al