Sekuestrohen 15 ton kafe kontrabandë/ Thumanë, sasia e paketuar në 28 palete

schedule09:11 - 26 Korrik, 2024

schedule 09:11 - 26 Korrik, 2024

Policia e Tiranës, ka sekuestruar të premten një sasi prej 15 ton kafe, të dyshuar se ka hyrë në vendin tonë kontrabandë.

Pas një hetimi disa javor nga ana e sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, është bërë e mundur gjurmimi dhe sekuestrimi i 28 paletave me kafe, të cilat sipas policisë kanë hyrë nga Pika doganore e Qafe Thanës dhe më pas, me atë të një kamioni janë transportuar në një banesë në Thumanë.

Lidhur me këtë rast policia ka vënë në pranga 33-vjeçarin Flori Kapllani, i cili dyshohet se ishte në rolin e shoferit. Ndërkohë në kërkim, janë shpallur 5 persona të tjerë.

Sipas policisë, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta persona, kanë paraqitur në doganën e Qafë Thanës, dokumentacion të falsifikuar të origjinës dhe porosisë së mallit që kanë transportuar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore.

Më pas kamionin që transportonte sasinë e kafes, nuk e kanë shkarkuar në doganën e Vorës, siç kanë deklaruar në pikën e parë kufitare, por e kanë çuar në Thumanë në banesën e  një prej të shpallurve në kërkim.

Policia po punon për kapjen e personave të cilët janë mundur të identifikohen, ndërsa Prokuroria e Tiranës po heton lidhur me persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, pasi ka dyshime se në të njëjtën mënyrë janë futur edhe sasi të tjera mallrash nga pikat doganore.

/abcnews.al/