Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra të enjten Gjyqtarin e Tiranës Besnik Hoxha, duke e përjashtuar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.
Vendimi u mor nga trupa e KPA e kryesuar nga Albana Shtylla, Sokol Çomo relator, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj anëtarë.
Besnik Hoxha është i njohur si kryesuesi i trupes që gjykoi çështjen e 21 janarit në shkurt të vitit 2013 dhe shpalli të pafajshëm ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo për 4 vrasjet e ndodhura ne bulevard.
Rezulton se në maj të vitit të shkuar, Hoxha u la në detyrë nga Komisioni i pavarur i kualifikimit por vendimi u kundërshtua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe më pas u ankimua nga Komisioneri Publik, i cili pretendoi se vendimi i KPK-së është i cenueshëm në të treja kriteret e rivlerësimit.
KPA e largon Hoxhën nga drejtësia për problemet me pasurinë, pasi rezulton gjyqtari ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm.
Sipas Komisionerit Publik, lidhur me një godinë banimi në Shkodër me 3 kate të gjyqtarit Hoxha, ka mospërputhje për kohën e ndërtimit dhe se subjekti rezulton me bilanc negativ në shumën 3.2 milionë lekë për mbulimin e kostove të ndërtimit.
Sa i takon një apartamenti në Tiranë të deklaruar si adresë vendbanimi nga Hoxha, Komisioneri Publik ka argumentuar se ka dyshime se gjytari ka dashur ta fshehë këtë pasuri, pasi disa herë janë ndryshuar porositësit./abcnews.al