Formula e re e paktit të Partisë Socialiste me Partinë Demokratike për të fituar mandatet në 2025, sërish do të lërë numrin më të lartë të atyre që do të hyjnë në parlament në dorë të kryetarëve.
ABC NEWS ka analizuar në detaje rezultatin e zgjedhjeve të 2021 me formulën e të re të shpërndarjes së mandateve.
Mbi këtë formulë ata që negociuan paktin, Damian Gjiknuri nga PS dhe Oerd Bylykbashi nga Partia Demokratike, thanë se numri i deputetëve që do të vijnë nga vota e zgjedhjësve, do i afrohet gjysmës së deputetëve që ka parlamenti aktualisht.
Por analiza e të dhënave të 2021, raporton gazetarja Erneta Shevroja, me përllogaritje të rezultatit të 2025, tregon që sërish pushtetin më të madh pasi lista fituese do të jenë në dorë të tyre.
Konkretisht, nga 140 ligjvënës në Parlament, 100 prej tyre do të futen si përzgjedhje të kryetarëve të partive. Pra, vetëm 40 do të shkojnë si rezultat I votës personale të zgjedhësve.
Partitë e vogla, si në rastin e ish-LSI-së që nxori 4 mandate në 2021 dhe PSD-ja vetëm 3, e kanë të pamundur për të pasur deputetë që vijnë si rezultat i votës. Këto parti do të kenë vetëm listën e fiksuar të kryetarëve.
Pushtetin e të zgjedhurve do e ketë Partia Socialiste, që mori 74 mandate dhe PD-ja, jo e vetme por si koalicion, që mori 59 mandate.
Vetëm brenda PS dhe PD-së kandidatët do të kenë garë mes tyre, për të siguruar mandate në Parlament.
Por sa do të jetë shifra për secilën?
Partia më e madhe, PS, referuar rezultatit të zgjedhjeve të 2021, nëse do të përsëriste të njëjtin rezultat, në 2025, atëherë, Edi Rama do të kishte në dorë 46 deputetë për të çuar në Parlament. Ndërsa votuesit e PS-së do të përgjidhnin 28 depuetët për në Parlament.
Partia Demokratike hyri në zgjedhjet e 2021 si koalicion me 6 partië, përfshirë dhe PDIU-në, për pasojë rezultati për 2025 analizohet si i tillë.
Nëse përsëritet i njëjti rezultat, me formulën e re, PD do të nxirrte më pak deputetë që vijnë nga votat preferenciale.
Me formulën e re të 1/3-ës, në 2025, Sali berisha ka në dorë të cojë në Parlament 47 mandate. Ndërsa elektorati i tij, vetëm 12 deputetë.
Në krahasim mes dy forcave kryesore, PS nxjerr 16 mandate më shumë se PD-ja, që vijnë nga vota e zgjedhësve.
Por të dyja partitë kanë një të përbashkët; për secilën prej tyre, nuk do të ketë garë në 3 qarqe; në veri për PS dhe në jug për PD-në.
Konkretisht Edi Rama vendos plotësisht listën e Kukësit, Shkodrës dhe qarkut Dibër. Ndërsa Sali Berisha vendos për deputetët e qarkut Berat, Vlorë dhe Gjirokastër.
Megjithatë, forcën e secilës parti, do e vendosin votuesit, në pranverën e 2025. Dhe këtë herë ndoshta nuk mund të parashikohet si deri më 2021-ishin, pasi faktorë do të mund të bëhen dhe votuesit shqiptarë nga jashtë vendit.
Ajo që duket pastër nga kjo dakortësi elektorale, është medalja e fituesit që i varin vetes në qafë, Edi Rama dhe Sali Berisha. E fituesit brenda partive të tyre.
Edi Rama me 46 dhe Sali Berisha me 47 besnikë, çimentojnë kështu pushtetin e tyre personal. Pavarësisht kush i fiton zgjedhjet. Dhe kjo ka më shumë rëndësi për Sali Berishën. Pavarësisht kush i fiton zgjedhjet, dhe pavarësisht nëse doktori do jetë në Kuvend, në ballkon apo diku tjetër, Partia Demokratike do mbetet pronë e tij, edhe pas zgjedhjeve të vitit 2025.
PARTIA SOCIALISTE
-MANDATE TË KRYETARIT, 46 (sipas rezultatit te 2021)
-MANDATE TË ZGJEDHËSVE, 28(sipas rezultatit te 2021)
TOTALI: 74 MANDATE
KOALICIONI, PARTIA DEMOKRATIKE
MANDATE E KRYETARIT, 47 (sipas rezultatit te 2021)
MANDATE TE ZGJEDHËSVE, 12(sipas rezultatit te 2021)
TOTALI: 59 MANDATE
PS, PA GARË (sipas rezultatit te 2021)
-QARKU KUKËS
-QARKU SHKODËR
-QARKU DIBËR
PD, PA GARË(sipas rezultatit te 2021)
-QARKU BERAT
-QARKU VLORË
-QARKU GJIROKASTËR