Eksperti i Kriminalistikës Ervin Karamuço në një intervistë në “Edicioni Qendror” në ABC News, foli për atentatin me tre viktima që tronditi Memaliajn.
Gjatë intervistës, Karamuço u shpreh se ngjarje të tilla kriminale vijnë si pasojë e prishjeve të pazareve të një grupi të vetëm që më pas është ndarë.
“Që në fillim të vitit ku dëgjuam për një tentativë vrasje në unazën e re të Tiranës, kemi kuptuar që saga e vrasjeve mes grupeve rivale, kishte pasur zhdukje të personave, po vazhdonte. Për këtë janë treguar shkaqet dhe gjithë dinamika përse këto grupe kanë qenë në rivalitet. Është një pazar prishur mes një grupi të vetëm që më pas u nda në një kartel të jugut të Shqipërisë që fillonte nga zona e Fierit dhe përfundonte në Athinë. Prishja e pazareve, ka filluar me vrasje plagosje, eksploziv dhe zhdukje të personave. Kjo ishte një ngjarje e rëndë, e paralajmëruar dhe që do të shkonte edhe tek familjarët e tyre. Kjo ngjarje pritej. Është e njëjta mënyrë veprimi e këtyre ngjarjeve kriminale. Mendoj që janë grupe që e njohin mirë zonë dhe nuk janë grupe që kanë ardhur nga një qytet tjetër. Policia di kush është porositësi, por nuk ka asgjë të provuar. Autorët janë të pamëshirshëm. Është i disati rast ku persona të pafajshëm humbin jetën. Mos mendoni se Nuredin Dumani u fut pas hekurave dhe nuk ka Nuredin Dumanë të tjerë. Kamerat nuk kanë kapur fytyra të personave, po vetëm maska. Me sa jam i informuar ata kanë lëvizur me maska deri në një perimetër të caktuar. Janë shumë të kujdesshëm të t’i fshihen kamerave në rrugë. Por policia duhet të kishte nxjerrë një njoftim për të gjithë qytetarë që të japin informacion për çfarë mund të kenë parë. Policia e shtetit duhet të ngrejë Task Forcë, edhe për të parandaluar ngjarje të rënda kriminale të pritshme në rastin konkret të grupeve rivale”, ka thënë më tej eksperti i kriminalistikës.
/abcnews.al/