Në një intervistë në “News Line” në ABC News, gazetari Fatos Mahmutaj, foli për atentatin me tre viktima që tronditi Memaliajn në mesnatën e të dielës.
Gjatë kësaj interviste, u shpreh se kjo çështje duhet trajtuar me shumë kujdes dhe duhet të hetohet pasi bëhet fjalë për një krim të organizuar.
“Nuk bëhet fjalë për një vrasje të thjeshtë, por për një masakër që vjen pas rreth 10 çështje të tjera. Kemi disa dosje të ndryshme, janë gati 10 dosje. Nuk kemi thjesht një vrasje, por një masakër që u prodhua hap pas hapi, pas çështjeve të tjerë që kanë filluar më herët”, tha ai.
Gjithashtu ai shtoi se shtoi se pista që po heton policia është ajo e hakmarrjes.
“Ka një moskoordinim institucionesh dhe gjërat vijnë deri këtu që njerëzit të hakmerren. Nga mënyra se si është kryer krimi dhe më pas janë larguar, vrasësit kanë ndjekur rrugën e vjetër për të djegur makinën e krimit dhe për t’u larguar me një makinë tjetër. Pra ata nuk kanë përdorur autostradën e re të jugut, pasi dihet që ka kamera e polici dhe kanë përdorur këtë rrugë të vjetër. Kjo është një manovër e tyre për të shpëtuar nga policia. Duhet të mblidhen informacione, të shikohen të analizohen dhe të arrihet te autorët. Të gjitha këto dosje do të thoja se kanë prodhuar probleme, dhe duhet të paktën një hetim kompleks që ngjarje të tilla të parandalohen”, tha ndër të tjera ai.
Ngjarja e rëndë ndodhi në një lokal në lagjen numër tre në Memaliaj, në orën 23:20.
Dyshohet se shënjestër e këtij atentati ishin familjarë të Andrea Kalemit, i njohur si person i përfshirë në ngjarje të rënda kriminale.
Viktimë mbeti babai i Andrea Kalemit 74-vjeçari Shyqyri Kalemi, ndërsa është plagosur rëndë vëllai i tij Artur Kalemi 57 vjeç. Plumbat kanë kapur aksidentalisht duke lënë të vdekur edhe kamerierin dhe një klient që ndodhej në lokal.