Besimtarët bektashianë alevianë të mërkurën do të kremtojnë përfundimin e ditëve të Matemit.
Me këtë rast Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj përcolli një mesazh për të gjithë besimtarët.
“Në emër të Zotit mëshirë madh e mëshirë shumë, për 10 ditë ne bota bektashiane aleviane mbajtëm zi për Qerbelanë për 72 dëshmorët e saj, me Imam Hysejnin në krye. Përkujtojmë sot Qerbelanë, dëshmorët e saj që luftuan për liri, paqe dhe emancipim të jetës njerëzore, që gruaja të kishte të drejtë të trajtohej njësoj si burri. Kjo ceremoni e ashures që ne do e shpërndajmë nesër është një mirënjohje për dëshmorët e Qerbelasë. Zoti i pranoftë lutjet, pranoftë gjithçka që bëhet për të mirën e njeriut. Zoti na bekoftë të gjithëve Amin”, ka thënë ai.
Festa e Ashures bëhet pas 10 ditëve të zisë për Imam Hysenin dhe dëshmorët e tjerë që luftuan për liri, për demokratizimin e jetës dhe emancipimin e shoqërisë njerëzore.
/abcnews.al/