VIDEO/ Fredi Beleri del nga burgu për t’u betuar si eurodeputet në PE, flet për mediat greke: Jam i lumtur

schedule07:50 - 15 Korrik, 2024

schedule 07:50 - 15 Korrik, 2024

Fredi Beleri ka lënë mëngjesin e kësaj të hëne ambientet e burgut të Fierit, ku vuan dënimin me 2 vite burg, për t’u betuar si eurodeputet.

Pak ditë më parë Beleri i bëri kërkesë për leje 5 ditore Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të lejuar pjesëmarrjen e tij fizikisht në mbledhjen e Parlamentit Europian.

Drejtoria e Burgjeve ka lejuar Belerin të betohet si eurodeputet, ndërsa mëngjesin e sotëm ai është pritur jashtë ambienteve të burgut nga bashkëshortja dhe makina e ambasadës greke.

Beleri nuk është prononcuar për mediat vendase, por ka bërë me dije se do të flasë për to në aeroport. Ajo që u vu re jashtë burgut, ishte prezenca e mediave greke, të cilat Beleri i falënderoi që e kishin mbështetur.

“Dua t’ju falënderoj për mbështetjen gjatë gjithë këtyre muajve, jam i emocionuar, i lumtur, për pjesën tjetër do flasim në Athinë. Faleminderit për gjithçka”, tha Beleri për mediat greke.

Bleri do të udhëtojë nga Tirana në Athinë, e më pas drejt Strasburgut, ku më 16 korrik do të bëjë betimin si eurodeputet. Beleri do të ketë kohë deri në orën 16:00 të 20 korrikut për t’u rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Drejtoria e Burgjeve ka kërkuar nga Beleri informacion të plotë, duke përfshirë garancinë e udhëtimit, dorëzimin e biletës vajtje-ardhje, akomodimin dhe rregullimin e hotelit. Nëse do të qëndrojë më shumë se sa e lejon leja, për shkak të zhvillimeve atje, do të duhet të informojë zyrtarisht të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë edhe autoritetet lokale në Bruksel.

Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet burg me akuzën e korrupsionit zgjedhor, pasi u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023.

Që nga çasti i prangosjes e në vijimësi, Beleri ka kundërshtuar akuzat që prokuroria ka ngritur ndaj tij, duke e konsideruar këtë një proces politik dhe ka apeluar vendimin. Por edhe Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur ta lërë në qeli.

Në javën e parë të qershorit, Beleri u zgjodh deputet i Parlamentit Europian me rreth 237 mijë vota, duke u renditur i katërti në listën me 7 fitues që garuan nën siglën e partisë në pushtet në Greqi, “Demokracia e Re”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!