“Vrapuese e jashtëzakonshme!”, presidenti Meta vlerëson Luiza Gegën

schedule17:43 - 14 Nëntor, 2019

schedule 17:43 - 14 Nëntor, 2019

Luiza Gega është nderuar ditën e sotme nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Atletja e njohur mori titullin e lartë “Mjeshtër i Madh. Në ambientet e Presidencës u mbaj ceremonia, ndërkohë që titulli u dha me motivacionin: “Për talentin, karakterin dhe profesionalizmin e treguar në arritjen e rezultateve të larta në sportin e atletikës në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, duke shpalosur vlera të mëdha si atlete e niveleve botërore, shembull frymëzimi për të gjithë sportistët e rinj e të reja”.

Presidenti më pas mori fjalën: “Të nderuar personalitete të sportit shqiptar, e sidomos të botës së atletikës. E konsideroj një privilegj të nderoj sot një nga sportistet më të shquara në gjithë historinë e Atletikës shqiptare, vrapuesen e jashtëzakonshme Luiza Gega.

Ajo ka dhënë gjithçka për sportin që dashuron aq shumë, për atletikën. Luiza është një atlete e përmasave botërore. Si sportiste ka thyer rekorde, ka fituar në gara të rëndësishme shumë të ndërkombëtare dhe na ka frymëzuar të gjithëve me rezultatet e saj, në kampionatet Botërore, Europiane, Ballkanike e Lojërat Mesdhetare.

Serioziteti e sakrificat në punën e saj janë themeli i sukseseve të shumta. Luiza vazhdon të kontribuojë me performancën e saj, jo vetëm në rezultatet e larta kombëtare dhe ndërkombëtare, por me personalitetin e saj ajo është bërë një shembull i rritjes së identitetit dhe imazhit tonë kombëtar. Luiza është një nga ambasadoret më të mira të kombit tonë, anembanë botës.

Me gjithë sukseset e saj ajo vazhdon të mbetet e përkushtuar dhe besoj që puna e saj dhe në gara të tjera të rëndësishme ndërkombëtare do të jetë objektivi i radhës. Përfitoj nga rasti, për të theksuar se një sportiste e tillë është nder për të gjithë ne. Të nderuar të pranishëm! Sukseset e Luizës, të cilat nuk mbarojnë, jam i bindur që do të marrin një ritëm edhe më të lartë nga sot. Faleminderit Luiza për gjithçka që keni bërë!”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!