Ka peshën e një foshnje 3- muajshe, por sapo ka ardhur në jetë. Bebja gjashtë kilogram e 150 gramë dhe rreth 58 cm e gjatë lindi në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë duke surprizuar jo vetëm prindërit, por dhe ekipin e mjekëve.
Gjatë viteve të punës në maternitet infermierja për të porsalindur Albina Vishka nuk kishe parë rast të tillë.
“Ishte hera e parë që rastis të lindë një beb me peshë kaq të madh.
Sa vjet punë ke në maternitet?
Unë kam 24. Para këtij bebi ka qënë 5 e 400 – 5 e 600, por jo 6 kg e 150 gr.”
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë ky është bebi me peshën më të madhe në dhjetë vitet e fundit. Është djalë dhe e ëma 32 vjeçe nga Tirana e solli në jetë në mënyrë natyrale pas tre vajzave.
“Ka qenë një surprizë për të gjithë ne. Është një nga ato rastet ku natyra i bën një dredhi shkencës. Ne jemi mësuar që ti ndjekim pacientët me shumë kujdes, në drejtim të parandalimit të makrosomisë që është pesha e madhe e bebit në lindje, zakonisht është e lidhur me diabetin në shtatëzani. Në rastin në fjalë nuk ishte paciente diabetike, erdhi në moment të fundit për lindje aq sa nuk kishte kohë të vlerësohej për mundësinë e operacionit apo ndërhyrjes cezariane dhe duke u vlerësuar për mundësinë e një peshe shumë të madhe mobilizoi të gjithë stafin që ishte në turn në spital atë ditë dhe ju dha trajtimi maksimal duke parandaluar komplikacionet.”
Si nëna dhe bebja sipas mjekëve gëzojnë shëndet të plotë./abcnews.al