Media italiane “Turisti per Caso”: Vizitoni Shqipërinë dhe zbuloni vendet më autentike në Evropë

schedule07:26 - 9 Korrik, 2024

schedule 07:26 - 9 Korrik, 2024

Ne u nisëm nga Gjenova drejt Shqipërisë për një udhëtim shtatëditor.

Turneu ynë u fokusua në qytetet dytësore, vendet më autentike dhe të bukura të destinacionit evropian që pret të zbulohet, sipas një artikulli të botuar në revistën italiane “Turisti per Caso”.

Mbërritja në Tiranë

Së bashku me bashkëshorten time fluturuam drejt Tiranës me “Wizzair” për të vizituar vendin e bukur dhe ekonomik, Shqipërinë – të banuar nga njerëz të sjellshëm dhe mikpritës.

Fluturimi drejt Tiranës kushtoi 15 euro për person.

Saranda

Ne mbërritëm në Sarandë pas rreth 4 orësh me makinë, dhe u akomoduam në “Hotel Keos” me 3 yje, i cili kushtonte 29 euro – dhomë dyshe me mengjesin e përfshirë.

Gjirokastra dhe Saranda

Rreth një orë larg me makinë, vizituam qytetin e Gjirokastrës, një vend i UNESCO-s, i famshëm për çatitë e gurta të qytetit të vjetër, xhaminë dhe pazaret dhe kalanë që dominon mbi të.

Gjatë kthimit në Sarandë ndaluam për të vizituar “Syrin e Kaltër”, një burim karstik që ndodhet në shpatet e Malit të Gjerë, një nga destinacionet turistike-natyrale më të njohura në jug të Shqipërisë.

Për të ngrënë darkë ndaluam në “Restorantin Tradicional Drilona”- ku shijuam speca të mbushura me oriz, mish qengji të pjekur dhe birrë të shkëlqyer shqiptare, të gjitha për më pak se 30 euro për dy persona.

Ksamili

Ditën e parë në plazh, shkuam në Ksamil, pak kilometra nga Saranda dhe pushuam gjithë ditën në një plazh me detin e kristaltë.

Në mbrëmje darkuam në Sarandë, në “Taverna Rrapo”, i cili na shërbeu peshk të pjekur në skarë – dhe padiskutim speca të mbushura me oriz dhe gjithmonë më pak se 30 euro për dy persona.

Butrinti

Në mëngjes vizituam parkun arkeologjik të Butrintit, pak kilometra larg Sarandës.

Parku arkeologjik i mbrojtur nga UNESCO është i ruajtur shumë mirë, i cili daton në qytetërimin ilir dhe më vonë në atë romak.

Pasdite u kthyem në një plazh të bardhë të bukur të Ksamilit.

Berati

Në Berat u akomoduam një natë në “Hotel Omer” – 28 euro një dhomë dyshe me një mëngjes të shkëlqyer.

Berati ka një qendër historike të mbrojtur nga UNESCO, një shembull i rrallë i një qyteti osman të ruajtur mirë, që demonstron bashkëjetesën paqësore të feve të ndryshme në shekujt e kaluar – është një qytet plot me xhami dhe kisha ortodokse të mesjetës së vonë.

Dominimi i gjatë turk është qartësisht i dukshëm në ndërtimin civil vendas, i cili pasqyron shijet orientale të epokës osmane.

Qendra historike është e ndarë në dy zona lehtësisht të dallueshme – Mangalemi (zona myslimane) poshtë Kalasë dhe Gorica (zona e krishterë), kjo e fundit në bregun e majtë të Lumit Osum, të dy zonat lidhen me një urë antike.

Ne darkuam në një restorant karakteristik “Homemade Food Lili”, në rrugicat e lagjes myslimane – ku ndamë tavolinën me një çift të këndshëm anglez.

Aty shijuam byrekun, tavën e kosit me mish qengj, djathë dhie dhe dele, verë të kuqe vendase të shkëlqyer.

Durrësi

Nga Berati u nisëm për në Durrës – hoteli këtu kushtonte 36 euro për dy persona me mëngjesin e përfshirë.

Në Durrës kaluam një ditë të qetë përgjatë plazhit të tij të madh me rërë.

Kruja

Dita e fundit e turneut tonë përfundoi me vizitën në Krujë.

Në Krujë, në një pozicion të lartë strategjik, ndodhet kalaja ku heroi kombëtar shqiptar Skënderbeu u qëndroi turqve deri në vdekje, në një ndërtesë më të re ndodhet edhe muzeu kushtuar Skënderbeut.

Rreth kështjellës ka rrugica të shumta karakteristike të pazarit që janë të këndshme për të ecur mes turmave.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!