KQZ do të vendosë sot për mandatin e Fredi Belerit si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës pasi u dënua me dy vite burg nga Gjykata e Posaçme nën akuzën e shitblerjes së votave. Pala mbrojtëse ka kërkuar praninë e Belerit pasi sipas tyre, s’mund të merret një vendim pa dëgjuar argumentet e tij.
Avokatja: Kam një kërkesë për të lejuar në seancë të subjektit të Alfred Belerit, sipas nenit 88 të kodit të procedurave administrative, rezulton që ky subjekt nuk është njoftuar në lidhje me fillimin e procedurës dhe për këtë shkak, që kërkon që të dëgjohet në këtë proces, t’i jepet të dëgjohet duke qenë se është subjekt i lidhur drejtpërsëdrejti në lidhje me vendimmarrjen. T’i dërgohet kopja e dosjes administrative që të japë shpjegimet e tij dhe të merren parasysh në këtë procedurë sepse nuk mund të merret një vendim përfundimtar pa u dëgjuar Beleri.
Celibashi: Po thoni që subjekti nuk ka marrë njoftim dhe nuk ka dijeni për fillimin e kësaj procedure administrative. Kjo procedurë administrative nuk ka përfunduar, ne jemi në shqyrtim. Dhe për këtë arsye të njoftohet pala për të dhënë argumentet e tyre. Përtej kësaj, pyetja që kam unë është nëse ju e përfaqësoni apo jo?
Avokatja: Unë i kam tagrat për të nënshkruar aktin e përfaqësimit që kam dorëzuar i datës së djeshme por njoftimi i KQZ është bërë dje pasdite dhe afati nga dje deri më sot ka qenë shumë i shkurtër për Belerin. Kam tagra për ta përfaqësuar por jo për të thënë fjalën e tij të fundit.
Celibashi: Kuptova që ju e keni tagrin e përfaqësimit jo të plotë nga zoti Beleri.
Nëse mandati i Belerit quhet i pavlefshëm, presidenti ka të drejtën kushtetuese të shpallë zgjedhje të pjesshme vendore brenda 45 ditëve për një kryetar të ri për drejtimin e Bashkisë së Himarës. Beleri u shpall fajtor për korrupsion në zgjedhjet lokale. Emri i tij u propozua nga listat e “Koalicioni Bashkë Fitojmë”, nga të cilat u zgjodh kryebashkiak i Himarës. Por, gjatë 13 muajve në paraburgim Beleri nuk e ushtroi detyrën e tij edhe as u betua. /abcnews.al