Vetëm në periudhën janar-mars Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu 32.60 milion euro duke pasur si synim rritjen e rezervës valutore por njëkohësisht edhe si një masë për të mos lejuar dobësim të mëtejshëm të monedhës europiane.
Në këto tre muaj Banka Qendrore ka zhvilluar tre ankande ndërsa në muajt e verës parashikohet që ndërhyrja të rritet.Gjatë këtij viti Banka e Shqipërisë ka parashikuar që të tërheqë nga tregu rreth 330 milion euro përgjatë gjithë vitit për efekt të rezerves valutore por edhe për të stabilizuar kursin e këmbimit.
Banka e Shqipërisë në kalendarin e ndërhyrjeve parashikon një shtim të blerjes së eurove për efekte të rezerves valutore sidomos në qershor e korrik. Në muajin qershor janë planifikuar 3 ndërhyrje për blerje të eurove euro në tregun valutor dhe po e njëjta gjë edhe në muajin korrik
Për gati dy muaj e gjysëm monedha europiane është stabilizuar duke u pozicionuar në kufijtë e 100 lekëve ndërsa ka pësuar luhatje minimale. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë agjentët e kursit të këmbimit presin që monedha europiane të pësoj dobësim të mëtejshëm në muajt në vijim.
Kjo e nxitur nga flukset turistike që priten gjatë verës. Ardhja e më shumë turistëve në vend nënkupton më shumë valutë në tregun vendas dhe së fundmi kësaj tendence i është shtuar edhe fakti që euro është dobësuar në tregun ndërkombëtar si rrjedhojë e rezultatit të zgjedhjeve në Europë. Euro rezulton gati 13 pikë më e ulët nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti./abcnews.al