Është një tjetër moment i së vërtetës. Franca, ekipi që ka zhgënjyer vazhdimisht në Kampionatet Europianë, ka detyrën që të ndryshojë një traditë që vazhdon prej vitit 2002, teksa pasditen e kësaj të hëne do të ketë “derbin”, ndaj Belgjikës, për një vend në çerekfinale, ndërsa ylli më I shumëpritur në stadiumin e Dyseldorfit, “Merkur-Spiel Arena” do të jetë “ylli” francez, Kylian Mbappe dhe maska e tij.
Sulmuesi më i mirë i botës aktualisht do të luajë me maskë për shkak të thyerjes së hundës. Mbetet të shihet se ku do ta vendosë trajneri Didie Deshamp, në të majtë të sulmit, apo në qendër, teksa në në variantin e parë, në fushë do të ishte titullar 37-vjeçari “veteran”, Olivier Giroud. Edhe mesfusha ka dilema për të zgjedhur mes Rabiot, Tchouameni dhe Kante.
Një ditë para sfidë vetë Mbappe ka treguar për tifozët sesi është të luash me maskë, teksa në konferencën për shtyp është shprehur se nuk e mendonte në asnjë moment se gjërat do të shkonin kështu, në Euro 2024.
“As nuk e mendoja se do të shkonte kështu, por është absolutisht e tmerrshme që të luash me maskë. Është shumë e mërzitshme, por unë gjithsesi duhet ta falenderoj maskën. Ma kufizon shikimin dhe mbledh djersën. Sapo të kem mundësi do ta heq, por për momentin as nuk bëhet fjalë. Në këtë Evropian do të luaj vetëm me maskë. Sa për ndeshjen, pres që të jetë e vështirë. Mund të them vetëm që më mirë që nuk është Courtois, pasi do të ishte më e vështirë të fitonim nëse ai do të ishte në portë”,- u shpreh kapiteni i “Gjelave”.
Belgjika nuk vjen në këtë ndeshje si favorite, kjo dihet. “Djajtë e kuq” nuk kanë bindur në grup, me lojra të dobëta ndaj Sllovakisë e Ukrainës, dhe trajneri Tedesco e di se duhet një ndryshim. Të paktën, Vertongen dhe Theate kthehen nga dëmtimi në mbrojtje, por Witsel dhe Munier mbeten jashtë. /i.m /abcnews.al