Ka pasur një karrierë me dritë dhe me hije. Granit Xhaka do të mbahet mend nga tifozët e Arsenalit si një futbollist jashtëzakonisht i përkushtuar për fanelën, tepër luftarak dhe me nivel aspak për t’u hedhur poshtë, por edhe si lojtari që u përplas verbalisht me ultrasit derisa ui hoq shiriti i kapitenit.
Kapiteni i Zvicrës, lojtar me origjinë shqiptare nga Kosova, do të kthehet në stadiumin “Emirates”, të Londrës për herë të parë që kur u largua për te Leverkusen. Klubi anglez njofton se kampionia e Gjermanisë do të marrë pjesë në “Kupën Emirates” në Londër, dhe do të ndeshet me Arsenalin, ashtu siç do të bëjë edhe Lion i Francës.
Në ekip do të jetë Xhaka, njëri nga më të mirët e sezonit të kaluar, kur “Aspirinat” fituan titullin në Bundesliga për herë të parë në histori, po ashtu Kupën e Gjermanisë, ndërsa humbën finalen e Europa League ndaj “Bergamaskëve”, të Atalanta.
Në shtatë vjet me “Topçinjtë”, mesfushori nuk mundi të fitonte ndonjë titull, por gjithsesi pati përmirësim të ndjeshëm nën drejtimin e trajnerit Mikel Arteta. Në sezonin e fundit në Angli, futbollisti 31-vjeçar pati një paraqitje fantastike me 7 gola e 7 asistë duke luajtur të gjitha ndeshjet e kampionatit me përjashtim të njërës. /i.m /abcnews.al