Më shumë se 1 mijë italianë të përfshirë në një skemë mashtrimi me faturat e energjisë/ 12 call centera, 3 prej tyre në Tiranë

schedule15:22 - 25 Qershor, 2024

schedule 15:22 - 25 Qershor, 2024

Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Milanos dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë konstatuar se janë kryer një sërë mashtrimesh në kuadër të një organizate kriminale.

Më shumë se 1 mijë qytetarë italiane janë përfshirë në këtë skemë të mashtrimit me faturat e energjisë nga 12 call centera në  Shqipëri e Itali, 3 prej tyre me seli në Tiranë.

Mashtrimet e kryera nga të dyshuarit kanë nisur nga telefonatat e panumërta (të bëra edhe herët në mëngjes apo në mbrëmje vonë) me të cilat janë mbledhur të dhënat e viktimave, të cilët ishin të bindur se po flisnin me punonjës të A.R.E.R.A. (Autoriteti Rregullator për Rrjetet e Energjisë dhe Mjedisit në Itali) ose me kompanitë e energjisë me të cilat kishin lidhur kontrata të rregullta furnizimi të energjisë elektrike dhe gazit.

Këto informacione mblidheshin duke përdorur justifikime nga më të ndryshmet: ai i përdorur më shpesh i referohej punimeve fantazmë rrugore që ishin ndërprerë kabllot elektrike ose tubacionet e gazit dhe për shkak të të cilave ishte e nevojshme të aktivizohej përkohësisht një kontratë e re me një operator “dakordësuar”.

Kur nuk arrinin ta bindnin viktimën me arsyetime të tilla, të akuzuarit përdornin të dhënat e marra gjatë telefonatave për të aktivizuar sërish kontratën duke vendosur nënshkrime false në fund të dokumentit. Në raste të tjera, kur procedura e aktivizimit kërkonte regjistrimin zanor, atëherë përpunohej regjistrimi zanor i zërit të viktimës, i regjistruar gjatë telefonatës, me mjaft mjeshtëri me redaktues audio ose me aplikacione të inteligjencës artificiale në mënyrë që të dëgjohej shqiptimi nga përdoruesi i pavetëdijshëm, i të dhënave të nevojshme personale dhe “po”-të e ndryshme që duhet të jepte për përgjigjet e pyetjeve të operatorit përgjegjës për marrjen e pëlqimit.

Vetëm pas disa muajsh nisnin problemet e vërteta për viktimat, të cilët, fare të pavetëdijshëm që kishin nënshkruar kontratë me një kompani të re energjetike, u shkonin kërkesa pagese për faturat e papaguara. Në atë pikë fillonte kalvari i telefonatave të panumërta, me tone gjithnjë e më agresive dhe frikësuese, me të cilat personat përgjegjës për mbledhjen e borxheve kërkonin pagesën e shumës së papaguar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!