Mund të konsiderohet si një prej përballjeve më të rëndësishme, në historinë e futbollit tonë, me “Legjionarët” e Kombëtares, të cilët që prej orës 21:00 do të ndeshen, në “Merkur-Spiel Arena”, të Dyseldorfit, me “gjiganët” e Spanjës, në sfidën e fundit të fazës së grupeve, të Euro 2024, ku një fitore do të na siguronte kualifikimin historik, për në 1/16-at e një Kampionati Evropian.
Sa i përket formacioneve, tekniku Sylvinho ka vendosur t’i rreshtojë “Kuqezinjtë” me formulën e zakonshme, ku në portë është vendosur Strakosha. Në krahët e mbrojtjes janë Ivan Balliu e Mario Mitaj, me qendrën që mbulohet nga Ajeti dhe kapiteni Gjimshiti. Në mesfushë janë vendosur Ramadani, Qazim Laçi e Kristjan Asllani, ndërsa në sulm vendosen Asani, Bajrami e Rey Manaj.
Në krahun tjetër, Luis de la Fuente i ka pozicionuar të tijët në fushë po me formulën 4-3-3, ku në portë është vendosur Raya, në mbrojtje Grimaldo, Laporte, Vivian e Jesus Navas. Mesfusha me tre përbëhet nga Mikel Merino, Dani Olmo e Zubimendi, ndërsa në sulm janë vendosur Ferran Torres, Joselu dhe Oyarzabal. /i.m /abcnews.al