“E njohim kundërshtarin”, Gjimshiti: Me Spanjën një përballje për jetë a vdekje

schedule18:56 - 23 Qershor, 2024

schedule 18:56 - 23 Qershor, 2024

Diçka më shumë se 24 orë na ndajnë nga përballja më e rëndësishme e këtij viti për “Legjionarët” tanë, teksa në “Merkur-Spiel Arena”, të Dyseldorfit do të sfidojnë “Iberikët” e Spanjës, në sfidën e tretë dhe të fundit të fazës së grupeve, ku një fitore do të na siguronte kualifikimin historik, për në fazën me eleminim direkt të këtij kompeticioni.

Këtë të dielë zhvillohen edhe konferencat zyrtare për shtyp, ku fillimisht është radha e “Legjionarëve” tanë, ku bashkë me teknikun Sylvinho është edhe kapiteni Berat Gjimishti, të cilët do t’i përgjigjen pytejeve të gazetarëve shqiptarëve dhe të huaj.

Fillimisht fjalën e mori kapiteni Berat Gjimshiti, i cili para mediave theksoi vështirësinë e lartë që ka kjo sfidë, teksa shtoi se nuk beson që Spanja do të përdorë formacionin e dytë, në përballjen me “Legjionarët”.

“Është një sfidë ndaj një ekpi shumë të fortë, por besoj se të gjithë çunat janë gati për sfidën. Gjëja më e rëndësishme është se jemi akoma në garë për të kaluar grupin dhe do të bëjmë maksimumin për të “bezdisur” Spanjën.

Formacioni nuk ndikon aspas, pasi edhe formacioni i dytë i Spanjës është në të njëjtin nivel. E dimë kë kemi përballë dhe nuk mendojmë aspask se ata do të luajnë me ekipin e dytë dhe po përgatitemi njësoj, sikur luajmë kundër titullarëve.

Duhet të fokusohemi në ndeshjen e nesërme. Daku bëri një gabim dhe kërkoi falje, por tashmë duhet të mendojmë për ndeshjen. Do të kemi një kundërshtar të vështirë dhe kjo është më e rëndësishmja.

Asgjë nuk është e pamundur në jetë dhe këtë e kam mësuar gjatë karrierës time, por patjetër do të jetë një ndeshje e vështirë, padysim më e vështira në grup dhe siç thashë do të japim maksimumin për një kualifikimin historik.

Nuk jam këtu për të folur për çështje politike, këto janë çështje që merret UEFA. Jam këtu për të folur për ndeshjen e nesërme. Jam i sigurt se do të kemi shumë tifozë të pranishëm nesër dhe do të japim maksimumin për ta”,- u shpreh kapiteni i “Legjionarëve”. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!