Xhaka përfundon kursin e UEFA, kapiteni “helvet” arrin nivelin A të trajningut

schedule12:36 - 17 Qershor, 2024

schedule 12:36 - 17 Qershor, 2024

Në fushë është e qartë që është një lider. Gjithsesi, kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka ka plane për të qenë I tillë edhe në të ardhmen, dhe jashtë terrenit ku luhet futboll, ku sipas raportimeve më të fundit të mediave gjermane dhe zvicerane, “ylli” shqiptar ka nisur kualifikimet si trajner, dhe ka arritur në nivelin e dytë më të lartë të mundshëm.

Tashmë, shqiptari nga Kosova ka marrë licencën A të UEFA-s, dhe i mbetet vetëm ajo Pro, për ta pasur të mundur që të ulet në çdo stol, në çdo nivel në botë, me mesfushorin 31-vjeçar që e nisi kursin korrikun e kaluar, dhe e ka vazhduar sipas programit, njëkohësisht me stërvitjet tek “Aspirinat” e Bayer Leverkusen.

Po ashtu, ai ka qenë për praktikë në ekipin e ligës së pestë gjermane, Union Nettetal, ku ka ushtruar detyrën e ndihmëstrajnerit, teksa duket se shqiptaro-zvicerani e ka me pasion këtë profesion të ri, dhe po nxiton që të jetë gati ndonëse është në moshë që mund të luajë futboll edhe për disa vjet.

Nivelin e tij të lartë e tregoi sezonin që u mbyll pak javë më parë, duke kontribuuar në fitoren e parë të titullin kampion në Bundesliga, për “Aspirinat” e Bayer Leverkusen, Kupën e Gjermanisë, si dhe duke arritur në finalen e UEFA Europa League, ku u mund me rezultatin e pastër, 3 me 0, nga Atalanta e Berat Gjimshitit. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!