Samiti për Ukrainën në Zvicër/ Presidenti Begaj: Formula e Zelenksit, mënyra për të rikthyer një paqe të drejtë

schedule12:59 - 16 Qershor, 2024

schedule 12:59 - 16 Qershor, 2024

Nga Zvicra ku po mbahet Samiti për Ukrainën, presidenti i Republikës Bajram Begaj ka theksuar nevojen imediate për gjetjen e një rruge drejt paqes, për të ndalur tragjedinë njerëzore të shkaktuar nga agresioni rus, si dhe për të frenuar konfliktin qe kërcënon Evropën e më gjerë. Në fjalën e tij para liderëve botëror kreu i shtetit deklaroi se sfida është monumentale ndaj edhe duhet zhvilluar një kuadër për një marrëveshje të ardhshme paqeje. Presidenti i Republikës së Shqipërisë bëri thirrje për solidaritet ndërkombëtar me Ukrainën si viktimë e agresionit rus, ndërsa theksoi se çdo proces paqeje duhet të drejtohet nga Ukraina.

“Shqipëria e konsideron formulën e paqes së Presidentit Zelensky si mënyrën për të rikthyer një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën”.

Presidenti i Shqipërisë konfirmoi vijimësinë e mbështetjes për Ukrainën derisa të arrihet paqja, në përputhje me Kartën e OKB-së, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe duke nenvizuar faktin se Rusia duhet te mbajë  përgjegjësinë për veprimet e saj.

Bashkëjetesa paqësore brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht është cilësuar si jetike nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

“Rruga drejt paqes nuk duhet të jetë kurrë një rrugë dorëzimi. Ajo duhet të jetë një rrugë e ndërtuar me guximin për të mbajtur lart vlerat tona. Liderët botërorë të ndërmarrin masat që i përgjigjen rëndësisë se këtij momenti, duke rikonfirmuar qëndrimin se Rusia duhet të kuptojë pasojat serioze të veprimeve të saj”.

Bashkësia ndërkombëtare, sipas Presidentit Begaj, krahas përpjekjeve për paqen, duhet të sigurojë që mbështetja për Ukrainën të vazhdojë./abcnews.al