Në Shtetet e Bashkuara, një president mund të shërbejë maksimumi tetë vjet në detyrë. Kjo do të thotë që qoftë nëse fiton Joe Biden apo Donald Trump në nëntor, do të ishte mandati i tyre i fundit. Megjithatë siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Herman, ish-presidenti Trump, ka hedhur idenë për një mandat të tretë të mundshëm.
Në një aktivitet fushate të organizuar nga lobi më i madh i armëve në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump hodhi idenë për një mandat të tretë të mundshëm, duke iu referuar katër mandateve të Presidentit Franklin Delano Roosevelt, i cili vdiq në detyrë në vitin 1945.
“Pothuajse 16 vjet në detyrë, katër mandate. Nuk e di, a do të kemi tre mandate apo dy mandate, si thoni?”, tha ai.
Në vitin 1947 Kongresi miratoi Amendamentin e 22-të të Kushtetutës, që përcaktonte se presidentët mund të kenë vetëm dy mandate katërvjeçare. Në vitin 1951 ai u kthye në ligj, pasi u ratifikua nga 36 nga 48 shtetet e atëhershme.
“Amendamenti ktheu në ligj atë që kishte qenë për një kohë të gjatë një normë politike: që të mos kandidohej për më shumë se dy mandate”, thotë Praveen Fernandes, nënpresident i Qendrës për Përgjegjësi Kushtetuese.
Ai shpjegon se tradita e dy mandateve filloi me presidentin e parë të Amerikës, Xhorxh Uashington, i cili, megjithëse iu kërkua vazhdimisht të kandidonte për një mandat të tretë, nuk pranoi. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, Franklin Roosevelt e theu këtë traditë në vitin 1940 dhe fitoi një mandat të katërt në vitin 1944.
Që kur u miratua Amendamenti i 22-të, gjashtë presidentë kanë shërbyer dy mandate. Më i fundit ishte Barack Obama. Aktori Robert De Niro, një mbështetës i Presidentit Joe Biden, e etiketon zotin Trump si një tiran që dëshiron të jetë president i përjetshëm. “Nëse ai hyn në Shtëpinë e Bardhë, mund t’ju them me siguri se nuk do të largohet më kurrë. Ju e dini që ai nuk do të largohet kurrë”, thotë ai.
“Dua të jem diktator vetëm për një ditë!”. Deklarata të tilla nga zoti Trump në këtë cikël zgjedhor vijnë ndërsa ai përballet me akuza penale për përpjekjet për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020. Dhe kjo mund të jetë shenjë e synimit të tij të ardhshëm, thotë eksperti konstitucional, Fernandes. “Komentet që Donald Trumpi bëri kohët e fundit në lidhje me një mandat të tretë – që sigurisht bien ndesh me Kushtetutën – janë një arsye tjetër për t’u shqetësuar për dikë që nuk ndjehet i kufizuar nga formulimi i qartë i ligjeve tona”, thotë ai.
Një përpjekje e ish-Presidentit Trump për një mandat të tretë, do të kërkonte shfuqizimin e Amendamentit të 22-të me dy të tretat e votave në të dy dhomat e Kongresit dhe më pas ratifikimin nga të paktën 38 nga 50 shtetet. Ose 34 shtete mund të thërrasin një Kuvend Kushtetues dhe çdo veprim që ata miratojnë do të duhet të ratifikohet nga 38 shtete. Vetëm një herë në historinë amerikane është shfuqizuar një amendament kushtetues.
Amendamenti i 21-të, i ratifikuar në vitin 1933, anuloi Amendamentin e 18-të të miratuar në vitin 1919 që ndalonte pijet alkoolike dhe që kishte ngjallur shumë pakënaqësi./Voa/