Euro 2024/ Shqipëria përballë kampionëve në Dortmund. Zvicra sfidon Hungarinë, Spanja e Kroacia përplasen në Berlin

schedule09:05 - 15 Qershor, 2024

schedule 09:05 - 15 Qershor, 2024

Nisi me një mbrëmje spektakolare dhe pritet që i gjithë turneu të jetë i tillë. Kampionati Evropan i futbollit çeli siparin, mbrëmjen e së premtes, që sapo lamë pas, me “Pancerat” gjermanë, organizator të këtij eventi, që siguruan një fitore të madhe me pesë gola, duke argëtuar tifozat anë e mbanë botës dhe argëtimi do të vazhdojë sërish këtë të shtunë, kësaj here me tre sfida spektakolare.

Kështu, në orën 15:00, “Helvetët” e Zvicrës do të nisin rrugëtimin e tyre evropian, ku në “RheinEnergieStadion”, të Këlnit do të përballen me Hungarinë, në sfidën tjetër të Grupit A, ku padyshim “shqiponjat”, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri do të kërkojnë një nisje sa më të mbarë të këtij edicioni, pavarësisht se skuadra përballë di si të rezistojë, por edhe të surprizojë kundërsharët.

Pas mbarimit të kësaj përballjeje, në orën 18:00 vjen përplasja e parë e “titanëve” për këtë edicion, teksa në “Olympiastadion”, të Berlinit, “La Furia Roja” spanjolle do të sfidojë vendin e tretë të botës, Kroacinë, në një ndeshje tejet delikate, për Grupin B, të këtij kompeticioni, i quajtur ndryshe edhe grupi i “ferrit”. Skuadrat janë të plota, pa mungesa, kështu që emocionet dhe spektakli nuk duhet të mungojë.

Në fund të ditës vjen edhe sfida më e rëndësishme, për një popull të tërë, me “Legjionarët” e Kombëtares së Shqipërisë, që do të zbresin në “ferrin” e “Signal Iduna Park”, aty ku përballë do të kenë “Të Kaltërit” e Italisë, kampionët në fuqi të Evropës, në një përballje historike, ku padyshim një rezultat i madh do të në jepte motivimin e duhur, për të krijuar një histori “Hirusheje”, në Euro 2024. /i.m /abcnews.al 

Ndeshjet e së shtunës:

Grupi A

Ora 15:00, “RheinEnergieStadion”

Hungari – Zvicër

Grupi B

Ora 18:00, “Olympiastadion”

Spanjë – Kroaci

Ora 21:00, “Signal Iduna Park”

Itali – Shqipëri