Dy vite burg për Lefter Allën/ Gjykata e Posaçme, dënim perfundimtar për ish-kryebashkiakun e Bulqizës

schedule11:06 - 8 Qershor, 2024

schedule 11:06 - 8 Qershor, 2024

Ish kryetari i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla është dënuar përfundimisht me 3 vite burg. Vendimi u dha nga gjykata e apelit të posaçëm që la të pa ndryshuar dënimin e shkallës së parë.

Ish-kryebashkiaku do të vuajë 2 vite heqje lirie për shkak se përfitoi ulje nga gjykimi i shkurtuar.

Në të njëjtën kohë atij i ndalohet që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë funksione publike. Alla u gjet fajtor për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera. Bëhet fjalë për një tender me vlerë rreth 3 milionë euro për ndërtimin e një ujësjellësi në bashkinë e Bulqizës.

Sipas SPAK, Lefter Alla në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë kanë miratuar kritere për të favorizuar firmën pjesmarëse në tender, por punimet në të vërtetë realizoheshin nga një tjetër kompani që rezulton në emër të Aqif Koneshës, i afërm i ish-kryebashkiakut.

Edhe për ish-zëvendëskryetaren e Bashkisë së Bulqizës, Enkeleda Lleshi por edhe personat e tjera u la në fuqi vendimi i shkallës së parë. Lleshi u dënua me 2 vite e 6 muaj burg, por ky dënim u konvertua në 3 vite e 4 muaj shërbim prove. Lirim me kusht përfituan dhe 4 ish punonjës të tjerë të bashkisë, të cilët u gjetën fajtor për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera pasi ishin pjesë e komisionit të vlerësimit të ofertave. Ndërkohë përfituesit e tenderit me vlerë 3 milionë euro, dy biznesmenët Aqif Konesha dhe Rasim Daci, si dhe punonjës të kompanisë u dënuan për falsifikim dokumentesh me nga 1 vit e 6 muaj deri në 1 vit e 9 muaj burg./abcnews.al