ANALIZA/ A do të jetë samiti i paqes në Zvicër një ndryshim ‘loje’ për Ukrainën?

schedule10:48 - 8 Qershor, 2024

schedule 10:48 - 8 Qershor, 2024

Këtë verë, më shumë se në çdo kohë që kur trupat ruse kaluan kufirin në shkurt 2022, Ukraina ka nevojë urgjente për riafirmimin më të fortë të mundshëm të mbështetjes diplomatike, të sigurisë dhe ekonomike të Perëndimit.

Ndihma ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët europianë po rritet përsëri, por luftërat nuk fitohen vetëm në fushën e betejës.

Mbështetja politike dhe diplomatike për Ukrainën kërkon gjithashtu përforcim. Ngjarjet këtë verë të Samitit për Paqen në Ukrainë në Zvicër në qershor dhe samiti i 75-vjetorit të NATO-s në Uashington në korrik ofrojnë një mundësi të pashembullt për ta bërë këtë.

Samiti i 15-16 qershorit i organizuar nga qeveria zvicerane mund të jetë mundësia e fundit këtë vit për të nxitur opinionin më të gjerë ndërkombëtar rreth implikimeve globale të konfliktit në Ukrainë.

Ashtu siç bëri para dhe pas shpërthimit të luftës, administrata Biden mund të japë shtysë për një angazhim më urgjent në diplomacinë për të arritur paqen dhe për të konsoliduar mbështetjen ushtarake aleate për Ukrainën disa javë më vonë në samitin e NATO-s.

Sfondi i Zvicrës ka qenë sfidues. Gjatë muajve të fundit, objektivi kryesor në Uashington dhe kryeqytetet europiane ka qenë sigurimi i mbështetjes financiare dhe ushtarake për përpjekjet luftarake të Ukrainës.

U deshën shtatë muaj që Shtëpia e Bardhë të bindte Dhomën e Përfaqësuesve për 60 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Në Europë, Hungaria pengoi një paketë ndihme prej 50 miliardë eurosh për gati dy muaj përpara se të binte dakord për miratimin e saj.

Koha e humbur ka ndikuar në konflikt. Rusia përdori muajt e dimrit për t’u përgatitur për një ofensivë të re ndërsa Perëndimi debatonte dhe rezervat e armëve ukrainase u shteruan.

Rusia tani ka mbi 400,000 trupa në tokën ukrainase, dhe infrastruktura energjetike e Ukrainës dhe qyteti i dytë më i madh, Kharkiv, janë nën kërcënim serioz. Ndërkombëtarisht, axhenda diplomatike është bërë e stërmbushur me krizën në Izrael dhe Gaza që ka tërhequr vëmendjen e Shtëpisë së Bardhë dhe qeverive të tjera.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në SHBA dhe Europë mund të rezultojnë në një atmosferë më pak mbështetëse për të ndihmuar Ukrainën.

Por është pikërisht në momente si këto që diplomacia dhe simbolika kanë rëndësi të jashtëzakonshme dhe mund të kujtojnë se çfarë është në rrezik dhe jo vetëm për Ukrainën.

 

Samiti i paqes është përpjekja më ambicioze deri më tani për të tërhequr kombet e botës, jo vetëm aleatët perëndimorë të Ukrainës për përfundimin e konfliktit.

Deri më sot, thuhet se mbi 100 kombe dhe organizata ndërkombëtare janë zotuar të marrin pjesë, megjithëse Rusia nuk është ftuar të marrë pjesë.

Mund të ketë pikëpamje të ndryshme se si mund të zgjidhet konflikti; shumë vende kanë kërkuar të ruajnë lidhjet me Rusinë dhe Ukrainën, pavarësisht nga votat e tyre në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin fillestar.

Ukraina, megjithatë, është e vetëdijshme për nuancat.

Presidenti Zelensky në fjalimin e tij më 2 qershor në Dialogun Shangri-La në Singapor, i cili mbledh së bashku zyrtarë të mbrojtjes dhe zyrtarë të tjerë nga rajoni i Azisë-Paqësorit, e bëri të qartë se Ukraina është gati të dëgjojë propozime për t’i dhënë fund luftës dhe drejt një paqeje.

Qeveria ukrainase është duke punuar me Zvicrën në një axhendë që mund të bashkojë, jo të ndajë opinionin ndërkombëtar.

Kjo nuk e ka penguar Rusinë dhe aleatët e saj që ta shohin samitin si një kërcënim. Zelensky në Singapor u përqendrua në përpjekjet e Kinës për të larguar vendet që të merrnin pjesë teksa u takua me udhëheqës nga Indonezia, Singapori, Filipinet dhe shtetet e tjera aziatike.

Kina, me Brazilin, kanë propozuar gjithashtu një konferencë alternative në një datë të mëvonshme.

Prandaj, një udhëheqje e fortë nga Uashingtoni dhe aleatët kryesorë europianë është e nevojshme për të mbështetur vendosmërinë ndërkombëtare në samit.

Tani ka paralele me shkurtin e vitit 2022. Në fillim të luftës, vizitat presidenciale dhe të kabinetit në Kiev, dhe të Presidentit Zelensky në Uashington, ishin kritike për çimentimin e angazhimit të SHBA ndaj Ukrainës, në imagjinatën popullore dhe për aleatët dhe kundërshtarët.

Ata gjithashtu dërguan një mesazh të qartë të mbështetjes politike dhe diplomatike për ukrainasit, ndërsa ata u përballën dhe mposhtën një pushtim gjithëpërfshirës rus për të përmbysur qeverinë e tyre.

Ukraina ka nevojë për këtë afirmim përsëri në qershor 2024, me Rusinë edhe një herë të sigurt për qëllimet e saj.

Fitorja për Rusinë do të përmbyste çdo përllogaritje që Shtetet e Bashkuara dhe Europa kanë bërë për sigurinë dhe prosperitetin e tyre.

Ne nuk jemi ende atje, por Rusia, Kina dhe të tjerët që dyshojnë për fuqinë e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara, po kërkojnë të minojnë angazhimin ndërkombëtar ndaj Ukrainës. Ukrainasit do të pendohen që Presidenti Biden nuk do të marrë pjesë në samitin në Zvicër, por ai u takua me Zelensky në Francë në margjinat e përvjetorit të 80-të të D-Day në Francë.

Për më tepër, nënpresidentja Kamala Harris, e cila do të përfaqësojë administratën, mund të punojë me kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin kanadez Justin Trudeau dhe liderë të tjerë botërorë të pranishëm për pjesëmarrësit në tubim për të dërguar një mesazh të pagabueshëm në këtë moment kritik: Ukrainë, nuk është vetëm.