U largua nga ceremonia përkujtimore e “D-Day” në Francë, kryeministri britanik kërkon falje

schedule12:19 - 7 Qershor, 2024

schedule 12:19 - 7 Qershor, 2024

Kryeministri britanik kërkoi falje për anashkalimin e ceremonisë ndërkombëtare të “D-Day” në Francë dhe udhëtimin për në Britani për një intervistë televizive.

“Gjëja e fundit që dua është që përkujtimet të hijëzohen nga politika”, tha Rishi Sunak në X, duke iu referuar largimit të tij të hershëm nga ceremonia e 80-vjetorit të zbarkimit aleatëve.

Sunak ngjalli reagime pasi anashkaloi ceremoninë e madhe ndërkombëtare për një intervistë në ITV për zgjedhjet e përgjithshme të ardhshme më 4 korrik.

Kryeministri britanik tha se ai kujdeset “thellësisht” për veteranët dhe është i nderuar që përfaqësoi Mbretërinë e Bashkuar në një numër ngjarjesh në Portsmouth dhe Francë gjatë dy ditëve të fundit dhe që takoi ata që luftuan me guxim.

“Pas përfundimit të ngjarjes britanike në Normandi, u ktheva në Mbretërinë e Bashkuar. Me reflektim, ishte gabim të mos qëndroja më gjatë në Francë dhe kërkoj falje”, tha Sunak.

Një sërë ngjarjesh u zhvilluan të mërkurën në Britani dhe Francë për të shënuar 80-vjetorin e zbarkimit në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

/abcnews.al