Gjatë dy sesioneve të fundit të merkatos, klubi rumun i Rapid Bucuresti e mbushi sulmin me lojtarë të rinj e cilësorë shqiptarë, me tre “Dardanët” e Kosovës, Ermal Krasniqi, Albion Rrahmani e Florent Hasani, që kanë bërë aq mirë në elitën e Rumanisë, saqë dy prej tyre pritet të nisin një aventurë të re gjatë verës.
Konkretisht, Ermal Krasniqi është pranë transferimit te çekët e Sparta Prague aty ku do të bashkohej me dy shqiptarë të tjerë si Qazim Laçi dhe Indrit Tuci. Oferta e kampionëve të Fortuna Liga është me një vlerë prej 2.5 milionë euro dhe pritet që në ditët e ardhshme të ketë zhvillime të tjera për lojtarin që këtë sezon në elitën rumune shënoi gjashtë gola.
Ndërkohë, sa i takon Albion Rrahmanit është klubi i Rangers në Skoci që shfaq interes, me “gjigantët” skocezë, që janë të gatshëm të shpenzojnë deri në gjashtë milionë euro për shërbimet e 23-vjeçarit që në këtë sezon shkëlqeu duke shënuar 17 gola në 25 ndeshje dhe nëse ky transferim do të mbyllej me sukses, atëherë “Dardani” do të shndërrohej në lojtarin më të shtrenjë që shitet nga klubi rumun. /i.m /abcnews.al