Rinovim para Evropianit, De la Fuente te Kombëtarja e Spanjës deri në Kupën e Botës 2026

schedule21:56 - 4 Qershor, 2024

schedule 21:56 - 4 Qershor, 2024

Njoftimi ishte bërë tashmë në shkurt, por vetëm këtë të martë u nënshkrua kontrata. Federata Spanjolle e Futbollit kishte njoftuar më herët se do të aktivizonte klauzolën e rinovimit me trajnerin Luis de la Fuente dhe stafin e tij teknik, i cili do të udhëheqë “La Furia Roja” deri në Kupën e Botës të Kanadasë, Amerikës dhe Meksikës, në vitin 2026.

De la Fuente mori në dorë “frerët” e Kombëtares “iberike”, në dhjetorin e vitit 2022, pas largimit të Luis Enrique në stolin e “La Roja”, teksa më herët në karrierën e tij, me përfaqësuesen spanjolle kishte drejtuar disa ekipe të moshave.

Ndërkaq, kujtojmë se deri më tani, De la Fuente e ka drejtuar ekipin e parë të Spanjës në 13 ndeshje, duke arritur të fitojë nëntë prej sfidave, të barazojë në dy raste, si dhe të humbase në dy raste të tjera, ndërsa arritja më e madhe në ekipin kryesor është finalja e Ligës së Kombeve të vitit 2023, të cilën arritën ta fitonin ndaj Kroacisë, 5 me 4 me penallti. /i.m /abcnews.al